Kosova

Kurti kujton sulmet terroriste të 11 shtatorit: Kosova përkrah SHBA-ve në luftën anti-terror


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 22-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit (2001) në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka thënë se Kosova është në mesin e shteteve që janë rreshtuar në luftën e përbashkët kundër terrorizmit të drejtuar nga SHBA-të.

Kreu i ekzekutivit kosovar, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se terrorizmi është bërë një nga fjalët kyçe të fillimshekullit 21, kur avionë civilë të marrë peng nga terroristë, ishin drejtuar mbi Kullat Binjake në Nju Jork, gjë që shkaktoi tronditje globale dhe ndikoi në rrjedhën e ngjarjeve të kohës.

“Atë kohë, administrata amerikane e Presidentit George W. Bush, u zotua që terrorizmi kurrë nuk do të ngadhënjejë. Më shumë se dy dekada nga atëherë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë t’i prijnë luftës globale kundër terrorizmit, kurse shumë vende mes të cilave edhe Kosova, është rreshtuar në këtë luftë të përbashkët”.

“Sikurse SHBA-të ashtu edhe Kosova besojnë në të njëjtat vlera demokratike dhe qytetëruese si dhe ndajnë të njëjtat pozicione gjeopolotike dhe qëndrime gjeostrategjike si shtete aleate e mike”, ka shkruar ai, derisa ka bërë një përmbledhje të kësaj ngjarje që e ka ndryshuar botën përgjithmonë.

Kryeministri Kurti ka kujtuar edhe tre shqiptarët që humbën jetën tragjikisht nga sulmet terroriste të 11 shtatorit – Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj – duke shtuar se njëjtë duhet kujtuar edhe “mësimin e mësuar nga kjo ngjarje me jehonë pikëprerëse në histori”.

Shefi i Qeverisë së Kosovës ndër të tjera ka cituar edhe filozofin e njohur gjerman Jurgen Habermas dhe homologun e tij francez Jacques Derrida, të cilëve u është referuar për të kritikuar në njëfarë mënyrë edhe qasjen e Bashkimit Evropian (BE) ndaj krizave të përgjithshme në botë.

“Në vend të llojit të veprimit të policit ndërkombëtar të cilin kishim shpresuar ta shohim gjatë luftës në Kosovë, ende ka përsëri luftëra – të zhvilluara me teknologjinë më të fundit, por ende në stilin e vjetër”, ka shkruar kryeministri, duke cituar veprën me titull: “Filozofi në një kohë terrori: dialogje me Habermasin dhe Derridan”.

Kjo vërejtje kaq vizionare e mendjes së ndritur të “teorisë kritike” të Habermasit, sipas kryeministri Kurti, në ditët e sotme ka një forcë edhe më të madhe vërtetësie, si për shembullin e dhënë nga roli i SHBA-ve gjatë luftës në Kosovë, ashtu edhe për nevojën e bashkëpunimit të Evropës dhe SHBA-ve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore