Shkencëtarët në Zelandën e Re – përballë shqetësimeve në rritje të sigurisë ushqimore për shkak të ndryshimeve klimatike – po përpiqen të rrisin indet e frutave në laboratorë.
Teksa puna për mishin e rritur në laborator është bërë kryefjalë në vitet e fundit, puna e ngjashme me frutat është më pak e zakonshme.
Shkencëtarët në Plant & Food Research në qytetin jugor të Christchurch-it po synojnë ta ndryshojnë atë duke rritur indet e frutave nga qelizat bimore.
Shpresa e tyre është që një ditë të mund t’i shijojnë ato si fruta të vërteta.
Studiuesit shpresojnë se programi do të ndihmojë në ruajtjen e sigurisë ushqimore të vendit.
“Këtu në Zelandën e Re, ne jemi të mirë në rritjen e kulturave tradicionale të kopshtarisë”, ka thënë Ben Schon, shkencëtari kryesor.
“Por duke parë në të ardhmen, ka shumë ndryshime që vijnë në botë me rritjen e popullsisë, rritjen e urbanizimit dhe ndryshimet klimatike”.
Sakaq, programi synon të rrisë indet e frutave pa pjesët që zakonisht hidhen si bërthama e mollës ose lëkura e një portokalli.
Sipas Schon, sigurimi i konsumatorëve vetëm me indet e frutave do të ndihmojë në reduktimin e mbetjeve ushqimore.
Ushqimet e rritura në laborator mund të luajnë një rol kyç në bujqësinë e qëndrueshme, por janë ende në fazat shumë të hershme të zhvillimit, sipas Ali Rashidinejad, një shkencëtar i lartë ushqimor në Universitetin Massey në Auckland.
Meqenëse ushqimi i rritur në laborator është një koncept krejtësisht i ri, pasi të zhvillohet, ai do të duhet të dëshmojë sigurinë e tij tek organet rregullatore me gjasë përmes provave klinike të shtrenjta dhe të gjata.
“Për të kapërcyer pengesa të tilla mund të duhen vite, nëse jo dekada”, ka thënë Rashidinejad.
Konsumatorët do të duhet gjithashtu të pranojnë praktikën.
Sipas tij, gjeneratat e vjetra mund të rezultojnë të jenë në mëdyshje, por hulumtimet tregojnë se gjeneratat e reja janë të gatshme të provojnë ushqime të reja nëse ato ushqime ofrojnë përfitime shëndetësore duke kufizuar ndikimin mjedisor.
Programi Plant & Food Research, i cili filloi 18 muaj më parë, fokusohet në qelizat nga boronicat, mollët, qershitë, pjeshkët, nektarinat dhe rrushi.
Por qëllimi përfundimtar i korrjes së diçkaje që është ushqyese dhe e këndshme për t’u ngrënë është disa vite larg dhe mund të mos jetë fare i arritshëm.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com