Kosova

Rriten çmimet e importit në Kosovë


Ilustrim.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka bërë të ditur se çmimet e importit janë rritur për 1.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti krahasuar me tremujorin e parë.

Lajmin e ka bërë të ditur ASK-ja përmes një komunikate për media.

“Çmimet e importit në Kosovë patën një ngritje në një mesatare prej 1,1% në TM2 2023, krahasuar me TM1 2023. Ngritje më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishin te: instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale, muzikore dhe mekanizmat e orës (14,5 %); tekstili dhe artikujt e tekstilit (11.9%); lëkura dhe artikujt e saj (11,5%); etj”.

“Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: vajrat ushqyese (-12,3%); këpucët (-3,4%); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (-2,2%); metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (-2,1%); etj”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022, në tremujorin e dytë të këtij viti çmimet u rritën për 5 për qind.

“Ngritje më të mëdha sipas sektorëve ishin te: produktet bimore (27,6%); letra dhe artikujt e saj (19,4%); tekstili dhe artikujt e tij (17,9%); instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale, muzikore dhe mekanizmat e orës (13,5%), mjetet e transportit (12,8%), lëkura dhe artikujt e saj (10,2%) etj”.

“Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: vajrat ushqyese (-11,5%); metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (-5,9%); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (-5,2%) dhe produktet minerale (-3,2%)”.

Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar duke importuar më shumë dhe eksportuar më pak gjë që, siç thonë ekspertët, e pengon edhe rritjen e saj ekonomike.

Prej se ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, ajo ka pasur sfida të ndryshme sa u përket shkëmbimeve tregtare edhe me Serbinë, pasi kjo e fundit nuk i njeh dokumentet e institucioneve të Kosovës.

Kosova ka nisur të lëshojë dokumente me vulën “Doganat e Kosovës” nga viti 2008, duke e zëvendësuar vulën e deriatëhershme të Misionit të Kombeve të Bashkuara – UNMIK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore