Libra

Hapet ekspozita “Kujtesa e ujit” e poetit Halil Matoshi


Pamje gjate hapjes se ekspozites "Kujtesa e Ujit".

Këtë të enjte është hapur ekspozita e poetit, shkrimtarit, gazetarit dhe publicistit të njohur kosovar, Halil Matoshi.

Ekspozita e Matoshit e pagëzuar “Kujtesa e Ujit”, është hapur nga ora 19:00, dhe aty është shfaqur krijimtaria artistike e tij.

Disa nga pikturat e tij që janë shfaqur në ekspozitën që po mbahet në Prishtinë janë: “Kujtesa e Lumit”, “Lumturi fëmijërore”, “Valle mbi ujë”, “Ngadhnjimi”, “Nostalgjia”, “Riga shiu dhe dritë”, “Buzëmbramje” etj.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Për këtë krijimtari të bërë nga Matoshi, kanë dhënë vlerësime njohës të fushës.

Për piktorin Hajrush Fazliu, artisti Halil Matoshi, përmes kësaj ekspozite, përveç se ka qenë i dalluar si krijues me identitet fjalën e mendimin, tani thotë ai shfaqet edhe si piktor energjik, “i prirur të vazhdojë, gjurmojë, eksperimentojë e thellojë edhe më tepër universin e vet krijues”.

Fazliu thekson se pikturat e Matoshit përkufizojnë rëndësinë që i atribuohet subjekteve, përjetimeve e ngjarjeve të përjetuara në fëmijëri.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nga ana tjetër, sipas shkrimtarit dhe publicistit, Ballsor Hoxha, piktura “Buzëmbramje”, megjithëse vizura kryesore brenda kësaj pikture, është buzëpamja e liqenit (të Badovcit) autori krijon një shprehje dhe teknikë abstrakte të ngjashme me pikturën e realizmit magjik, në ngjyra kontraste, kështu duke shpërfaqur shpërthimin dhe shpërthimet e brendshme.

“Pra janë dy shtresa brenda kësaj pikture, ajo e asociacioneve, katrahurave (të përjetuara të autorit), dhe një lloj paradoksi simetrik i pranimit të tyre në radhë e ‘shots’  (si në kinematografi, apo vizione ëndërrore), që edhe mund të jenë përbrendësia e qetësisë së Badovcit, por edhe hamendësim i ankthit ekzistencial”, thotë Hoxha ndër të tjera.

Por, ekspozita e Matoshit, nuk do të karakterizohet vetëm me piktura, ai aty do ta bëjë edhe promovimin e librit të ri të tij “ The Lil’s Poem”.

Autori përmes vargjeve: grueja që zhduket/…/ U zhduke aq e hajthme/si ni shllungë mjegulle /që përshkon zjarrin, metaforizon deri në metonimi pse jo edhe deri në metamorfozën e mjegullës dhe zjarrit. Ndoshta metafmorfoza e Ovidit, (Defneja/gruazjarr/gruagjethe) është e gjitha-hapësira e rëndësishme, ku tregimet për shoqërinë, shfaqin paqartësia kulturore dhe negocion kuptimet, si pjesë e evolucionit dhe zhvillimit natyror të shoqërisë.

Littera sjell për lexuesit librin më të ri të Halil Matoshit “The Lil's Poem” - ObserverKult

Ndërsa, ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri më 20 gusht.

Halil Matoshi ka lindur në vitin 1961. Ai ka studiuar për filozofi.

Ka qenë i arrestuar katër herë nga regjimi serbo-jugosllav për shkak të angazhimit të tij për çlirimin e Kosovës.

Është autor i dhjetë (10) librave me poezi, ese, tregime e ditar lufte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore