Shqipëria

Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit


Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit në 3 për qind edhe për muajin gusht, bëri me dije guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Ndër të tjera, ai u shpreh gjatë një konference për mediat se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.

“Informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë në përgjithësi në linjë me pritjet tona dhe me trendin e zhvillimeve në partnerët tanë tregtarë. Të dhënat e disponuara sugjerojnë se normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka pasur një rol pozitiv në këtë tablo, duke ndihmuar në kontrollin e presioneve të brendshme inflacioniste dhe duke mundësuar funksionimin normal të tregjeve financiare”, shtoi guvernatori.

Sipas tij, bazuar në trendet aktuale dhe faktorët mbështetës të tyre, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë viteve në vazhdim, ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit të ardhshëm.

Inflacioni i çmimeve të konsumit regjistroi një vlerë mesatare prej 4.6 për qind gjatë tremujorit të dytë duke rënë me pothuaj dy pikë përqindjeje nga tremujori i parë, vërejti Sejko.

“Në aspektin makroekonomik, ngadalësimi i ritmit të rritjes së çmimeve u ndikua, më së shumti, nga rënia e inflacionit të importuar, në pasqyrim të rënies së inflacionit në partnerët tanë tregtarë dhe forcimit të kursit të këmbimit”, shtoi ai.

Guvernatori i BSH-së nënvizoi se nga këndvështrimi makro-ekonomik, rritja ekonomike është mbështetur nga përmirësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit, rritja e mëtejshme e të ardhurave të disponueshme, rritja e vëmendjes ndaj Shqipërisë si destinacion turizmi dhe kushtet ende të favorshme të financimit.

Sa i takon rënies së euros dhe forcimit të lekut në kursin e këmbimit, Sejko theksoi se kjo ka ardhur në forcim të vazhdueshëm gjatë vitit.

“Në terma vjetorë, ky forcim regjistroi një vlerë mesatare prej 8.5 për qind gjatë tremujorit të dytë dhe u përshpejtua më tej në muajin korrik, duke regjistruar vlerën 12.1 për qind”, tha Sejko. “Analizat tona sugjerojnë se kahu forcues i kursit të këmbimit është në linjë me përmirësimin e bilancit të shkëmbimeve me jashtë”.

Guvernatori sqaroi se këto janë të ndikuara nga rritja e të ardhurave nga turizmi, nga reduktimi i vazhdueshëm i deficitit të llogarisë korrente e nga vlerat e larta të IDH-ve.

Ai ravijëzoi në përmbyllje se kahu forcues i kursit të këmbimit ka ndihmuar në reduktimin e presioneve të huaja inflacioniste dhe ka mundësuar një normalizim më të ngadaltë të qëndrimit të politikës monetare.

“Megjithatë, shpejtësia e forcimit të kursit mbetet e lartë dhe luhatjet në tregun valutor janë rritur. Sipas skenarit bazë, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë tremujorëve e viteve në vazhdim”, deklaroi Sejko para mediave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore