Shqipëria

Shpenzimet e mbrojtjes së Shqipërisë do të jenë 2.2% të PBB-së deri në 2025, sipas ICDS-së


Qendra Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë (ICDS) ka përllogaritur në projektime saj se shpenzimet e mbrojtjes së Shqipërisë do të jenë 2.2 për qind të PBB-së deri në vitin 2025.

Kufiri minimal prej 2 për qind të kërkuar edhe nga NATO, sipas qendrës, do të projektohet zyrtarisht që në vitin 2024.

ICDS-ja është instituti kryesor në Estoni i specializuar në çështjet e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes.

Prioritetet e Shpenzimeve Afatgjata për Shqipërinë pritet të jenë sistemet UAV të “Baykar Bayraktar”, armët “Javelin” dhe sistemet kundër-ajrore “Stinger”.

Autoritetet shqiptare kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes gjatë vitit 2023, zbuluan vlerësimet e përditësuara nga NATO.

Numri i aleatëve të NATO-s që shpenzojnë të paktën 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për shpenzimet ushtarake pritet të rritet këtë vit, sipas aleancës.

Kësaj shifre, Shqipëria po i afrohet duke shkuar në 1.76 për qind të PBB-së së dedikuar vetëm për mbrojtjen.

Përditësimi i fundit nga aleanca vëren se autoritetet shqiptare kanë rritur në 259 milionë dollarë shpenzimet për mbrojtjen nga 150 milionë dollarë që ishte në vitin 2014.

Në vitin 2023, edhe objektivi i vjetër do të përmbushet vetëm nga 11 nga 31 anëtarët e aleancës, sipas vlerësimeve të NATO-s.

Objektivi u vendos në vitin 2014, kur udhëheqësit e NATO-s ranë dakord të rrisin shpenzimet drejt 2 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtjen brenda një dekade.

11 aleatët në fjalë janë Shtetet e Bashkuara, Britania, Polonia, Greqia, Estonia, Lituania, Finlanda, Rumania, Hungaria, Letonia dhe Sllovakia.

Në pjesën e pasme janë Kanadaja, Sllovenia, Turqia, Spanja, Belgjika dhe Luksemburgu, shpenzimet e mbrojtjes së të cilëve ishin nën 1.4 për qind të PBB-së.

Polonia tani parashikohet të kapërcejë SHBA-të kur shpenzimet krahasohen me PBB-në, por në terma realë, shkalla e investimit është shumë e ndryshme.

Washington-i shihet të shpenzojë 860 miliardë dollarë (788 miliardë euro) për shpenzimet e mbrojtjes këtë vit, duke e zbehur parashikimin e Polonisë prej 29 miliardë dollarësh (26.6 miliardë euro).

Shpenzimet e mëdha të SHBA-ve në këtë sektor janë arsyeja kryesore që NATO në tërësi shpenzon më shumë se 2 për qind të PBB-së për mbrojtje.

Kur përjashtohet Washington-i, shpenzimet e mbrojtjes për aleancën arrijnë vetëm 1.74 për qind të PBB-së, por kur merret parasysh kontributi i saj, pjesa rritet në 2.64 për qind të PBB-së.

Shifrat e reja u publikuan vetëm disa ditë përpara se liderët e 31 anëtarëve të aleancës të mblidhen në Vilnius për një samit dy-ditor.

Ata pritet të bëjnë premtime të reja për shpenzimet gjatë kohës së tyre në kryeqytetin lituanez si dhe të riafirmojnë angazhimet e tyre ndaj Ukrainës, duke përfshirë mundësinë e anëtarësimit përfundimtar.

Planet e reja rajonale për të forcuar ndërveprimin dhe mbrojtjen e aleancës kundër sfidave globale në rritje duhet gjithashtu të miratohen nga krerët e shteteve.

Sakaq, aleatët e NATO-s kanë arritur marrëveshje për të rritur objektivin e aleancës për shpenzimet ushtarake në të paktën 2 për qind të PBB-së kombëtare, thanë dy diplomatë për Reuters të premten vonë.

31 aleatët ranë dakord për “një angazhim të qëndrueshëm për të investuar të paktën 2 për qind” të PBB-së së tyre në ushtritë e tyre në të ardhmen, thanë dy diplomatë, duke folur në kushte anonimiteti dhe duke konfirmuar një raport të mëparshëm nga agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Kuota 2%, “jo e pamundur” për Shqipërinë në NATO

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore