Më ngjalli përnjëherë kureshtjen.
“Një film i tërë i krijuar nga Inteligjenca Artificiale?! Me siguri ka qenë një përvojë tejet mbresëlënëse për t’u rrëfyer”, mendova.
AI-ja dita-ditës po i mbërthen nga pak të gjitha fushëveprimet. Por bota e krijimtarisë artistike është delikate, duhen pafund shkëndija që të përmbyllet çka krijuesi vizualizon.
Jo vetëm kaq.
Perceptimet e deritanishme se artin mund ta përcjellë vetëm njerëzorja po krisen ngadalë. Dhe diku-diku gjejnë vend polemikat për autorësinë dhe origjinalitetin e krijimeve të AI-së.
Ndaj, pikëpyetjeve mund t’u jepte përgjigje vetë ai, Esti Metani, i cili tanimë e ka realizuar filmin me metrazh të shkurtër “The Witch” përmes AI-së dhe nuk ka hezituar t’i ndajë ‘sekretet’ me Albanian Post.
Ai mendon se AI-ja është tejet e avancuar, mbase revolucioni më i madh që ka patur teknologjia për këtë dekadë.
Por në këto faza që është tani, “nuk e zëvendëson dot krijimtarinë njerëzore… madje, kurrë nuk ka për t’ia arritur”.
“Duke e kuptuar mirë se si funksionon ‘mendja’ e AI-së, e them me besim të plotë që nuk arrin dot të krijoj nga hiçi, gjithmonë do t’i duhen baza, dhe nëse mundohet të krijojë diçka nga hiçi, nuk ka për të arritur të krijoj diçka që mund t’ia vlejë koha e shpenzuar në të”.
Megjithatë, Esti gjykon se shumë shpejt, AI-ja do të bëhet shoku më i mirë i njerëzve kreativ.
Interesi i tij për këtë fushë u shtua që kur vuri re potencialin që mund të kishte sidomos në fushën e shkrimit.
“Një pjesë e mirë e profesionit tim ka të bëj me gjetjen e informacionit dhe shkrimin e tij, gjë për të cilën gjithmonë kam pasur mangësi”, tregon ai.
Por me zbulimin e AI-së, dhe më specifikisht ChatGPT-së, arriti të kuptonte se sa potencial kishte kjo teknologji.
Esti është munduar të gjejë sa më shumë programe të ngjashme që t’i shkurtojnë kohën e punës.
Përveç kësaj, një nxitje e mirë ka qenë edhe pjesëmarrja e tij në një leksion të hapur të mbajtur në universitetin ku studion nga artisti Adrian Grezda, nën drejtimin e profesor Shpend Bengut.
Gjatë leksionit ai tregon se u fol gjatë për zhvillimin e AI-së, dhe për mënyrës se si mund të përdorej për të kryer punë të caktuara në një kohë shumë të shkurtër.
“Me inkurajimin e pedagogut tim, Shpend Bengu, vendosa që të krijoj një film të shkurtër me të gjitha programet e AI-së, në një farë mënyre të testoja dhe limitet se sa shumë mund të arrihej me të”, rrëfen Esti.
Sipas tij, të vetmet pjesë që janë krijuar nga ai vetë dhe jo nga AI-ja, janë prerja e filmit dhe renditja e skenave në rendin e duhur dhe zhurmat në sfond.
Kurse pjesa tjetër është krijuar e tëra nga AI-ja, çka përfshin dhe skenarin.
Në fillim ai ka përdorur ChatGPT-në për të krijuar një skenar për një film me metrazh të shkurtër për temën që kishte zgjedhur.
Duke i dhënë disa kërkesa të ndryshme për të perfeksionuar tekstin e dhënë, ai arriti në fund me atë që kërkonte dhe që mendonte se do të ishte e përshtatshme për vizionin e tij.
“Ky proces ka zgjatur jo më shumë se 10 minuta”, tregon Esti.
Pastaj, imazhet i ka krijuar me Runaway gen 2, i cili të lejon të krijosh një video 4 sekonda në bazë të kërkesës.
“Ky proces është më i vështirë nga gjithë të tjerët, por njëherazi më i rëndësishmi, duhet të merresh specifikisht me kërkesat qe i jep AI-së dhe të duhen disa të tilla për të përftuar një rezultat të kënaqshëm”, shpjegon ai.
Në një pjesë të filmit është përdorur edhe një imazh që është gjeneruar me AI gjithashtu, me Crayion.
Imazhi ka pasur një filtër të dytë të vendosur në të, përsëri me AI, që i ka dhënë një efekt perspektive që në fund të dukej sikur ishte një skenë e lëvizshme.
Ndërsa procesi i fundit ka qenë vendosja e zërit të transmetuesit. Kjo pjesë gjithashtu është bërë me AI, me Play.ht.
Në këtë program, sipas tij, të jepen disa versione zërash që dëshiron të përdorësh si bazë, dhe më pas mund të ndikosh në disa aspekte të tij për të arritur një zë që të përshtatet për projektin.
Po ashtu fjalët që janë thënë nga transmetuesi, janë shkruar nga ChatGPT-ja.
Për tematikën e filmit, Esti me modesti thotë se është një nga kontributet e vetme qe ka dhënë në këtë film.
Ai vendosi pikërisht shtrigat për shkak se janë “krijesa mitologjike të njohura kudo në botë, por që kanë edhe rrënjë të forta në mitologjinë shqiptare”.
Për sa i përket krijimit të historisë dhe çdo gjëje tjetër përveç titullit, është krijuar nga ChatGPT dhe nuk ka pasur ndikim nga ai për asgjë.
Por çfarë vlerësimi i jep ai AI-së për këtë produkt që arriti të krijonte?
“Kjo për mua është një pyetje e vështirë, sepse gjithçka mendoj se duhet vendosur në kontekstin e duhur”.
Nëse merret parasysh që është një film i krijuar nga AI-ja dhe që nuk i është dhënë asnjë informacion i jashtëm dhe nuk është ndikuar nga asgjë, ai mendon se vlerësohet mirë.
Gjithashtu mendon se me dedikimin e duhur dhe me burimet e mjaftueshme, ka potencial për të arritur më shumë se kaq.
“Por për të arritur një rezultat të shkëlqyer, duhet bashkëpunim i plotë i AI-së dhe njeriut që po merret me projektin”, ravijëzon Esti.
Në rastin e këtij filmi, i është lënë gjithçka në dorë AI-së, dhe “ka bërë më të mirën e mundshme”.
Por, sipas tij, nëse ka bashkëpunim dhe sinkonizim të plotë mes AI-së dhe njeriut, mund të arrihet ndoshta dhe një film që do të jetë vështirë të dallohet që ka patur një element të AI-së.
Esti i ka përdorur mjetet e AI-së që në momentin e parë që i ka zbuluar.
“Për momentin, krijimet me AI janë shumë interesante, por besoj se kjo teknologji duhet përdorur në mënyrën e duhur”, rithekson ai.
Dhe për të, mënyra e duhur është që të ndihmojë në punët monotone të përditshme, gjë që e bën dhe tani.
“Nuk e limitoj veten të them që nuk do bëj një projekt tjetër si ky, por them që AI-në do ta përdor për të më shërbyer në disa aspekte pune dhe jam shumë i lumtur ta shfrytëzoj AI-në në këtë mënyrë”, ka përmbyllur Esti.
Me këtë shpresë, uroj që AI të bëhet krahu i djathtë i yni.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com