Banka qendrore e Turqisë ka rritur normat e interesit për herë të parë në më shumë se dy vjet, nga 8.5 për qind në 15 për qind.
Mirëpo, ka shqetësime të përhapura se masa është e pamjaftueshme për të luftuar inflacionin në rritje dhe një krizë ekonomike të vazhdueshme.
Vendimi sakaq shënon një ndryshim të pjesshëm në politikën ekonomike të presidentit Recep Tayyip Erdoğan.
Referuar asaj politike, normat e interesit janë ngrirë që nga marsi i vitit 2021, pavarësisht një zhvlerësimi të mprehtë të lirës turke.
Komiteti i politikës monetare të bankës qendrore ka njoftuar se ka rritur normat “për të filluar procesin e shtrëngimit monetar në mënyrë që të vendoset kursi i deinflacionit sa më shpejt që të jetë e mundur, për të ankoruar pritjet inflacioniste dhe për të kontrolluar përkeqësimin e sjelljes së çmimeve”.
Inflacioni është rritur në nivele që po rezultojnë të padurueshme për pjesë të mëdha të popullsisë, duke shkaktuar një krizë të gjerë të kostos së jetesës.
Inflacioni në Turqi është në 39.59 për qind zyrtarisht, megjithëse vlerësimet jozyrtare nga Grupi i pavarur i Kërkimit të Inflacionit të Turqisë e vendosin atë në 110 për qind.
“Vendimi i sotëm është i pamjaftueshëm për të kompensuar dobësimin e lirës dhe për këtë arsye rreziqet në rritje të presioneve inflacioniste kanë më shumë gjasa të materializohen”, ka thënë ekspertja Selva Demiralp.
Kjo për shkak se norma reale e politikës është ende dukshëm negative edhe pas rritjes.
Ekspertët financiarë kishin vënë në dukje nevojën për ndryshime thelbësore të politikave, veçanërisht një rritje të konsiderueshme të normave të interesit, në mënyrë që të demonstrohej një rikthim në pavarësinë e bankës qendrore dhe një politikë ekonomike më ortodokse.
“Duket sikur bankës qendrore dhe ekipit të ri ekonomik i lejohet një hapësirë mjaft e kufizuar për manovrim, e cila është e pamjaftueshme për të kompensuar presionet inflacioniste”, ka shtuar Demiralp.
Ajo nuk e konsideron rritjen e tanishme si një sinjal të një kthese nga politikat jo-ortodokse që u ndoqën përpara zgjedhjeve.
Sipas ekspertes, tingëllon më shumë si një devijim i përkohshëm.
“Pres që presionet mbi kursin e këmbimit të vazhdojnë dhe me gjasë të kalojnë 30 lira për dollar”, ka shtuar ajo.
Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Malaj: Projektbuxheti 2025 garanton vijimin e uljes së nivelit të borxhit publik
-
Shiller: Sistemi amerikan po e kapërcen krizën e çmimeve, tarifat mund të shkatërrojnë gjithçka
-
Buxheti 2025: Cilat shpenzime parashikohet të rriten dhe cilat të ulen?
-
Banka e Shqipërisë ul me 0,5% normën e interesit për lekun