Shqipëria

Publikohet sërish teza e gjuhë-letërsisë, reagon Kushi


Matura Shtetërore në Shqipëri ka regjistruar sërish të mërkurën e 6 qershorit një incident lidhur me publikimin e tezave para se të fillojë testimi i gjimnazistëve.

Kësaj radhe përkoi me provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, e cila qarkulloi pak minuta pasi maturantët ishin futur në testim.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi reagoi lidhur me këtë zhvillim duke garantuar se “nuk ka favorizuar një apo dy maturantë”.

“Garantojmë që nuk ka asnjë element që të dyshojmë që teza të zgjidhura jashtë kanë hyrë brenda dhe kanë favorizuar një apo dy maturantë, për këtë ne japim garanci”, u shpreh fillimisht Kushi.

Ajo shprehu keqardhje për një ngjarje të tillë dhe sqaroi se dyshimet lidhen me njerëz që “janë të investuar posaçërisht për këtë qëllim sepse janë gjithnjë të njëjtët që nxjerrin testin dhe nuk bashkëpunojmë me ne për të identifikuar personat që kanë shkelur rregulloren”.

Kujtojmë që, për administrimin e provimeve janë angazhuar mbi 7 mijë e 800 mësues.

Në provim janë të përfshira të gjithë nivelet e vështirësisë dhe për herë të parë këtë vit do të ketë një test të veçantë për nxënësit me aftësi ndryshe.

Një tjetër risi e maturës do të jetë heqja e fletë-përgjigjeve të provimeve, një kërkesë kjo e maturantëve dhe mësuesve pasi shkaktonte konfuzion te maturantët dhe ngatërresa në korrigjime.

Po ashtu, ndryshe nga vite me parë, kësaj radhe nëse maturanti do të ketë kontestim për notën mund të bëjë ankim dhe të bëhet rivlerësim i testit.

Pas provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë maturantët do testohen në lëndën e Matematikës më 13 qershor dhe provimit të lëndës më zgjedhje më 19 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore