Kosova

Një muaj paraburgim për dy serbët e arrestuar në Veri


Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se ka vendosur masën e paraburgimit për një muaj për dy shtetas të Serbisë, të cilët ishin arrestuar të martën në Veri të Kosovës për “posedim të paautorizuar të armëve dhe narkotikëve”.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Gjykata.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka vendosur masën e paraburgimit për një muaj për dy shtetas të Serbisë, të cilët ishin arrestuar një ditë më parë në veri të Kosovës për “posedim të paautorizuar të armëve dhe narkotikëve”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake pasi që i ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës dhe i ka dëgjuar pretendimet e palëve, ka ardhur në përfundim se kërkesa për caktimin e paraburgimit e Prokurorisë Speciale, është e bazuar.

Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se gjatë të martës në mbrëmje në Veri të Kosovës ka ndaluar një automjet me targa të Sllovenisë me të cilin ka qenë duke qarkulluar dy shtetas të Serbisë që të njejtit pastaj janë arrestuar.

Konfiskimi i pajisjeve nga ana e Policisë së Kosovës.

Lajmi për arrestimin e tyre është kumtuar përmes një komunikate për media.

“Dy personat e dyshuar janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor, pasi gjatë kontrollit të automjetit që drejtonin janë gjetur dhe janë konfiskuar disa pajisje të kundërligjshme, përfshirë maska kamuflazhi, emblema me simbole nacionaliste, dokumentacione”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Për të njëjtit është thënë se pas intervistimit ndaj dy personave të dyshuar me vendim të prokurorit kompetent, është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Ky institucion i sigurisë, tutje ka bërë të ditur edhe dëshmitë e konfiskuara në cilësi të provave materiale, të cilat është dyshuar se mund të përdoren për veprime të dhunshme

“Një shufër metalike (policore), një maskë kamuflazhi, disa thika, disa emblema me simbole nacionaliste (4 S) dhe flamur serb (4 S), disa lloje të dyshuara të substancave narkotike, telefona celularë, sprej të ndryshëm, sfera metalike, lidhëse plastike, një automjet, një kartelë e veteranëve të luftës së Serbisë, dhe një kartelë të akademisë për siguri e Serbisë dhe një çekan”.

Tutje nga Policia është thënë se do të vazhdohet të mbahet një ambient i sigurt dhe i qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim, si dhe do të ndërmarrë masa ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend.​

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore