Shqipëria

Shqipëria shpreh shqetësimet për situatën në rajonin e pretenduar nga Sudani dhe Sudani i Jugut


Misioni diplomatik shqiptar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së shprehu të martën e 9 majit shqetësimet e saj për situatën në rajonin e diskutueshëm Abyei, të pretenduar nga Sudani dhe Sudani i Jugut.

Lajmi u bë i ditur gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit për situatën në Sudan dhe Sudanin e Jugut.

“Fillimisht, Shqipëria shpreh shqetësimet e saj për situatën në Sudan, e cila paraqet rreziqe të konsiderueshme për zonën tashmë të brishtë Abyei. Ne u bëjmë thirrje palëve sudaneze që të pushojnë armiqësitë dhe të angazhohen në arritjen e një armëpushimi mbarëkombëtar dhe të mbështesin përpjekjet rajonale në këtë drejtim”, deklaroi zëvendës ambasadorja shqiptare në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Albana Dautllari.

OKB-ja u shpreh të martën se luftimet në Sudan kanë ndërprerë vendosjen e paqeruajtësve shtesë në Abyei.

Ndihmës Sekretarja e Përgjithshme e OKB-së për Afrikën, Martha Ama Akyaa Pobee i tha Këshillit të Sigurimit se shpërthimi i dhunës në Sudan mund të ndikojë thellë në mundësinë për përparim politik në Abyei dhe çështjet kufitare.

“Luftat në Sudan kanë ndërprerë rrugët e vendosjes, që do të thotë se ardhja e personelit dhe pajisjeve shtesë do të duhet të shtyhet, duke ndikuar në kapacitetin e forcës”, vërejti Pobee.

Abyei i pasur me naftë ka qenë një zonë e diskutueshme midis veriut dhe jugut që kur Sudani i Jugut fitoi pavarësinë nga Sudani në vitin 2011. OKB-ja vendosi misionin paqeruajtës UNISFA në rajon në vitin 2011.

Sudani i Jugut vendosi trupa në mars në rajonin e kontestuar – një veprim që u dënua nga misioni paqeruajtës i OKB-së.

Dautllari nxiti gjatë fjalës së saj autoritetet e Sudanit dhe Sudanit të Jugut që të përqëndrohen në mbledhjen e Komitetit të Përbashkët të Mbikëqyrjes Abyei dhe të zbatojnë marrëveshjen mbi marrëveshjet administrative dhe politike që synojnë zgjidhjen e çështjeve kufitare dhe tensioneve në komunitet.

Gjatë së cilës, shtoi ajo, palët duhet të lehtësojnë pjesëmarrjen e plotë, të barabartë dhe kuptimplotë të grave për të forcuar rolin e tyre.

Misioni diplomatik shqiptar dënoi gjithashtu përleshjet e vazhdueshme të armatosura midis komuniteteve Ngok dhe Twic Dinka (lokale), e cila është një sfidë e madhe për mbrojtjen e civilëve dhe ka çuar në rritjen e qarkullimit të armëve midis të rinjve.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara të zbatojnë marrëveshjen për ndërprerjen e armiqësive (nënshkruar prillin e kaluar) dhe të punojnë me UNISFA-n për të forcuar dialogun dhe kohezionin social”, ravijëzoi Dautllari.

Më shumë se 600 njerëz janë vrarë gjatë konfliktit të armatosur disajavor në Khartoum, kryeqyteti i Sudanit, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Zëdhënësi i OBSH-së, Tarik Jashareviç, njoftoi shifrat e reja në një konferencë të Kombeve të Bashkuara.

Sipas tij, që nga 14 prilli në Sudan kanë vdekur 604 persona, ndërsa janë lënduar 5127, transmeton agjencia Anadolu.

Tani ka më shumë se 700 mijë njerëz të zhvendosur brenda në Sudan, tha Jasareviç, që është më shumë se dyfishi nga shtatë ditë më parë.

Luftimet midis ushtrisë dhe grupit paraushtarak të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) kanë vazhduar në Sudan që nga mesi i prillit.

Mosmarrëveshjet midis dy palëve janë ndezur muajt e fundit lidhur me integrimin e RSF-së në forcat e armatosura të Sudanit, një kusht kyç i marrëveshjes së tranzicionit të Sudanit me grupet politike.

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga vjeshta e vitit 2021, kur ushtria rrëzoi qeverinë e përkohshme të kryeministrit Abdalle Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në një lëvizje që forcat politike e quajtën një “grusht shteti”.

Periudha e tranzicionit, e cila filloi në gusht 2019 pas përmbysjes së presidentit Omar al-Bashir, ishte menduar të përfundonte me zgjedhjet në fillim të vitit 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore