Një goditje e rëndë ka ardhur për manjatin amerikan në fushën e teknologjisë, Elon Musk, i cili pasi pa raketën e tij më premtuese, Starship, të shpërthente në ajër gjatë testit të parë, duhet të përballet edhe me një rënie të pasurisë pre 13 miliardë dollarësh brenda 24 orëve të fundit.
Kështu e ka përllogaritur indeksi i miliarderëve nga Bloomberg situatën, duke parë rënien e stoqeve të kompanisë së makinave elektrike, Tesla dhe shpërthimit të Starship të enjten e 20 prillit – të dyja kompani të zotëruara nga Musk.
Në fakt, Tesla është ajo e cila pësoi goditjen më të fortë, me një rënie aksionesh prej 10%, si pasojë e mospërmbushjes tërësore të porosive në modelin e saj më të lirë, “Model 3”.
Nga ana tjetër, SpaceX është thjesht një goditje morale për Musk, pasi kompania është ende në menaxhim privat nga vetë miliarderi.
Por, sërish, imazhi i tij vihet në peshore kur vjen çështja në investimet që ndërmerr.
Vetë biznesmeni e quajti si një “sukses” testin e parë të Starship, duke parë atë çfarë ishte parashikuar të ndodhte, ku dështimi do të ishte vetëm shpërthimi i anijes kozmike në platformën e lëshimit.
Një gjë e tillë nuk ndodhi gjithsesi. Madje, Starship arriti deri në 40 kilometra lartësi, përpara se të fillonin avaritë, si pasojë e një ngërçi që nuk e lejoi vetë anijen kozmike të shkëputej nga raketa shtytëse.
Në rënie të lirë më pas, atë shpërthyen të dyja në rreth 29 kilometra lartësi nga toka.
Një përpjekje të re për lëshimin e radhës, Musk e ka parashikuar brenda tre muajve të ardhshëm, në mënyrë që ekipi i tij të ketë kohë të shohë se si mund të ndreqë gabimet dhe çfarë mund të korrektojë në lëshimin e raketës.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com