Gatimi

Bill Gates: Në vendet e pasura duhet të konsumohet vetëm mish sintetik


“Vendet e pasura duhet të hanë mish 100 për qind sintetik. Mund të mësoheni me ndryshimin në shije, për të mos thënë që me kalimin e kohës do të bëhet edhe më i shijshëm”.

Kështu ka thënë në një intervistë për revistën MIT Technology Review bashkëthemeluesi i Microsoft-it dhe filantropisti amerikan Bill Gates, i shqetësuar për shëndetin e planetit.

“Po i afrohemi me shpejtësi një fatkeqësie të paprecedentë klimatike. Për ta shmangur atë, duhet të fillojmë të ndryshojmë dietën tonë, për shembull duke kaluar në konsumimin e mishit të viçit sintetik dhe produkteve alternative me bazë bimore”, ka vijuar ai.

Ai nuk është i mendimit se 80 vendet më të varfra në botë do të jenë në gjendje të hanë ndonjëherë mish të kultivuar, teknikat e prodhimit të të cilit janë mjaft të shtrenjta.

Ndaj dhe u bën thirrje kombeve më të avancuara politikisht dhe teknologjikisht, në gjendje të përballojnë kostot. Një strategji që do të lejonte uljen drastike të ndotjes së mjedisit.

Çdo kilogram mish derri ose shpezë i përgjigjet një sasie dioksidi karboni që varion nga 3.2 në 4.6 kilogramë, ndërsa për prodhimin e viçit prodhohet rreth 60 kilogramë dioksid karboni.

Sipas miliarderit amerikan, këto mund të përkthehen në një rritje të rrezikut të fatkeqësive natyrore, urisë dhe migrimit masiv .

Sot e dimë se mishi sintetik krijohet në laborator përmes një procesi të nxjerrjes dhe kulturës së qelizave. Ky proces është mjaft i thjeshtë. Mostrat qelizore merren nga indet e muskujve të rosave, pulave dhe lopëve dhe më pas kultivohen në mënyrë që të shndërrohen në fije indore të mjaftueshme për të gjeneruar një qofte ose një hamburger.

Burgeri i parë i viçit u krijua dhjetë vjet më parë nga një ide e Patrick Brown, asokohe profesor i biokimisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Stanford.

“Mishi-jo-mish” i tij bazohet në soje dhe patate, me shtimin e vajrave bimore të kokosit dhe lulediellit për të përsëritur yndyrën dhe përfshirjen e metilcelulozës dhe niseshtesë për të imituar konsistencën.

Dy vjet më vonë, në vitin 2013, Ethan Brown promovon krijimin in vitro të hamburgerëve, salsiçeve dhe mishit të grirë me proteina që rrjedhin nga bizelet, fasulet dhe orizi. Dhe me lëng panxhari për të bërë më të mundshme ngjyrën e derivatit.

Në Itali, në nëntor 2019, The Vegetarian Butcher nxori mish të kultivuar, me proteina sojë dhe gruri nga kultura të qëndrueshme.

Sakaq, ndërgjegjja e përbashkët po rritet. Lojtarët e mëdhenj botërorë po tregojnë interes më të madh për çështje jetike për planetin.

Në një botë ku konsumi i mishit është ende i lartë dhe ekonomia vazhdon të përcaktojë zgjedhjet e qeverive, alternativa sintetike mund të reduktojë bujqësinë intensive.

Dhe në fund, shëndeti i njerëzve dhe mjedisi i tyre do të ketë përfitime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore