Sport

“I bëjmë thirrje Indisë ta rishqyrtojë vendimin”, Osmani pasi Sadikut iu mohua pjesëmarrja në Botërorin në Indi me simbole të Kosovës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi boksieres Donjeta Sadiku i është mohuar e drejta për të garuar me simbole të shtetit të Kosovës në Botërorin në Indi, derisa ka shtuar se vendimi për ta penguar Donjeta Sadikun për të marrë pjesë në Botërorin e boksit është shkelje flagrante e standardeve ndërkombëtare sportive.

“Si një anëtare e IBA-s, Kosova ka të drejtë të marrë pjesë nën flamurin dhe himnin e saj. Ne i bëjmë thirrje Indisë ta rishqyrtojë vendimin e saj”, shkroi Osmani në Twitter.

Ndryshe, Sadiku, ka reaguar të martën me anë të një videoje pas mohimit nga shteti i Indisë që të garojë në Kampionatin Botëror me simbolet shtetërore.

Nëpërmjet një mesazhi emocionues, Sadiku theksoi se është e padrejtë që Kosova të trajtohet ndryshe për arsye politike.

Ajo shtoi se shpreson që Qeveria e Indisë ta rishqyrtojë vendimin dhe t’i lejohet asaj të garojë në Kampionatin Botëror sikurse çdo garues tjetër.

Ndryshe Ministria e Jashtme e Indisë dha të hënën dritën e gjelbër për marrjen e vizës për ekipin e Kosovës, kurse disa orë më vonë Federatës së Boksit të Kosovës iu kushtëzua pjesëmarrja.

Organizatori i Kampionatit bëri me dije se pjesëmarrja e boksieres Sadiku mund të bëhet vetëm me dy kushte.

Kushti i parë ishte që flamuri i Kosovës dhe himni shtetëror nuk do të përdoren në ndonjërën nga ceremonitë gjatë kampionatit botëror.

Dhe, kushti tjetër ishte se pjesëmarrësit e Kosovës nuk do të lejohen të mbajnë flamurin e tyre, qoftë edhe në veshjet e tyre në formë të printuar.

Duke pasur parasysh kushtet “diskriminuese” të vendosura nga organizatorët e turneut, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria për Kulturën dhe Sportin vendosën të mos paraqiten në Botëror.

Kjo është hera e tretë që Sadikut i mohohet pjesëmarrja në Kampionatet Botërore në Indi dhe njëherazi mundësia për të fituar një tjetër medalje botërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore