Filmi Navalny, një vështrim ndaj disidentit rus, i cili u helmua me një agjent nervor fitoi Oscarin për filmin më të mirë dokumentar.
Portreti i regjisorit Daniel Roher i kritikut të Kremlinit Alexey Navalny ka operativë në hije, gazetarë që kërkojnë të vërtetën, teori konspirative dhe helme të epokës sovjetike. Është një film me theks të dukshëm politik pas pushtimit rus të Ukrainës.
Roher pranoi shtatoren e tij të dielën duke thënë se ia dedikoi Navalny-t dhe të gjithë të burgosurve politikë në mbarë botën.
“Alexey, bota nuk e ka harruar mesazhin tënd jetik për të gjithë ne: ne nuk duhet të kemi frikë të kundërshtojmë diktatorët dhe autoritarizmin kudo që ai ngre kokën”, tha Roher.
Duke iu bashkuar regjisorit në skenë, gruaja e Navalny, Yulia Navalnaya shtoi: “Alexey, po ëndërroj ditën që ti do të jesh i lirë dhe vendi ynë do të jetë i lirë. Qëndro i fortë, dashuria ime”.
Navalny ka qenë për shumë vite një dhimbje koke për presidentin rus Vladimir Putin. Ai ka publikuar raporte të shumta në lidhje me korrupsionin në Rusi dhe administratën e Putinit, duke u bërë një figurë popullore dhe mbështetëse mes rusëve me mendje të njëjtë.
Roher ishte në gjendje të ulej me Navalny gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Berlin në vitin 2020 dhe në fillim të 2021, teksa po shërohej nga helmimi dhe kërkonte të vërtetën pas tentativës së pasuksesshme të vrasjes. Mediat e kanë quajtur Navalny-n kritikuesin më të ashpër të Kremlinit, dhe ai duket se nuk ka frikë nga kërcënimet dhe arrestimet që ka duruar.
Filmi ishte një hit në Festivalin e Filmit Sundance ku fitoi çmimin e publikut dokumentar dhe çmimin e preferuar të festivalit.
Navalny mundi të nominuarit e tjerë për dokumentarë: Gjithçka që Frymon; Gjithë Bukuria dhe Gjakderdhja; Zjarri i Dashurisë dhe Një shtëpi e bërë nga copa.
Navalny, 46 vjeç, u sëmur në Siberi në vitin 2020 dhe u dërgua në Gjermani, e cila tha se gjeti prova se ai ishte helmuar me Novichok, një agjent nervor i ndaluar.
Vendet perëndimore pretendojnë se ishte një përpjekje për vrasje nga shteti rus për të mbyllur gojën kritikun e hapur. Rusia mohon ndonjë rol në sëmundjen e tij dhe thotë se nuk ka parë prova se ai ishte helmuar.
Pasi u rikuperua për pesë muaj në Gjermani, Navalny u kthye në Rusi në janar 2021. Ai u arrestua menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Moskës dhe më vonë u dënua me 11 vjet e gjysmë burg.
Navalny i ka hedhur poshtë rastet kundër tij si të sajuara. Ai aktualisht po mbahet në një koloni të largët penale dhe raportohet se është përsëri në gjendje të mirë shëndetësore.
Në fund të filmit, Navalny pyetet se cili do të ishte mesazhi i tij për popullin rus nëse do të vritej.
“Nuk ju lejohet të dorëzoheni”, tha ai.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com