Shqipëria

Kostot e ndërtimit rriten më tej prej energjisë


Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, kostot e ndërtimit kanë vijuar të rriten, ndikuar më së shumti nga energjia.

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim për këtë periudhë kohore, referuar Institutit të Statistikave (INSTAT), ka arritur 110,3 kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2020 si periudha bazë.

Në tremujorin e katërt 2022, ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim është 7,0 për qind, një vit më parë ky ndryshim ishte vetëm 3,1 për qind.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 14,1 për qind.

Ai pasohet nga grupet “Shpenzime materiale” dhe “Kosto të tjera” me 7,9 për qind secila, “Shpenzime makinerie” me 5,3 për qind, “Shpenzime për paga” me 5,0 për qind dhe “Shpenzime transporti” me 1,9 për qind.

Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indekset e nëngrupit “Materiale ndërtimi” kanë shënuar rritjen më të lartë me 8,4 për qind, pasuar nga grupi “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” me 7,8 për qind dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 5,9 për qind.

Sakaq, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim ka shënuar rritje me 0,8 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022.

Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime materiale”, “Shpenzime për paga” dhe “Shpenzime transporti” me 1,3 për qind secila, pasuar nga grupet “Kosto të tjera” me 1,0 për qind dhe “Shpenzime makinerie” me 0,7 për qind.

Kurse grupi “Shpenzime energjie” ka shënuar në këtë rast ulje me 1,0 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore