Më 17 janar të vitit 2023 shënohet 555 vjetori i vdekjes së heroit kombëtar të shqiptarëve – Gjergj Kastrioti, i njohur gjerësisht si Skënderbeu; titull ky i fituar për shkak të shkathtësive dhe arritjeve.
Skënderbeu është personaliteti shqiptar, që është shkruar më së shumti si nga historiografia shqiptare, ashtu edhe nga historianët ndërkombëtarë.
Ishte historiani gjerman Jakob Philipp Fallmeryer, i cili duke u mbështetur në një tekst të kronografit bizantin Georgios Sfranzis, e saktësoi datën e vdekjes së Skënderbeut, duke e fiksuar në 17 janar 1468.
Edhe historianet shqiptarë e japin versionin e njëjtë.
Tek libri “Historia e Shqipërisë I”, botuar në vitin 1959, me autorë Selim Islami dhe Kristo Frashëri – si datë të vdekjes e paraqesin të njëjtën.
Po ashtu edhe Marin Barleti – vepra e të cilit është e para për Skënderbeun, dhe bazë për veprat pasuse, e jep po atë datë.
Fan S. Noli, në veprën e tij kushtuar Skënderbeut në vitin 1921, e përshkruan kështu vdekjen e tij; “Munt t’a marrim me ment hidhërimin që ndjeu Skënderbeu, kur hodhi rreth tij syrin e mjegulluar nga hija e vdekjes dhe s’pa asnjë princ shqiptar, të zotin për te pasuar veprën, të cilën vdekja s’e la t’a mbaronte. Pastaj u përshendosh me të gjithë, kungoj, e dha shpirt me 17 Jenarit, 1468”.
Por, dokumenti i parë që e njofton vdekjen e Skënderbeut, është letra e ambasadorit të Milanos në Venecia, Giarardo De Collis. Ky lajm mbërrin në Venedik me 13 shkurt 1968, pra afër një muaj pas vdekjes.
Sa i përket versionit për shkaqet e vdekjes; shkruhet se ka ardhur si rezultat i një sëmundje të panjohur.
Ka spekulime se ai mund të ketë vdekur nga tuberkulozi ose pneumonia, por nuk ka asnjë provë përfundimtare për të konfirmuar shkaqet e vdekjes së tij.
Gjon Muzaka – një kohanikë i Skënderbeut, thuhet ta ketë përshkruar kështu vdekjen e tij; “Vetë Skënderbeun i sfilitur nga armiqtë, e gati i pashpresë, e zunë ethet ne Lezhë, ku edhe vdiq …”.
Edhe Dhimitër Frëngu; bashkëpunëtor i Skënderbeut dhe dëshmitar okular në vdekjen e tij, historianët shkruajnë se e jep po të njëjtin version si të Gjon Muzakës; se e nxunë ethet dhe vdiq.
Marin Barleti – duke përshkruar momentet e fundit të Skënderbeut, vizitën që ja kishte bërë duke kalëruar ushtrisë, dhe arritjen e tij në Lezhë ku i kishte mbledhur princat arbërorë; po ashtu shkruante se “e zunë një palë ethe të rënda”.
Sa për vendin ku u varros, përkundër spekulimeve të shumta, Fan Noli shkruante se varrimi u bë në katedralen e Shën Kollit në Lezhë.
Skënderbeu do të vlerësohej gjatë kohës sa ishte gjallë, gjithashtu edhe pas vdekjes së tij. Papa Piu II është njëri nga kohanikët e Skënderbeut i cili do ta nderonte me vlerësimin si; Athleta Christi (Atlet i Krishtit). Papa Pavli VI – në vitin 1968, do ta vlerësonte figurën e Skënderbeut si një nga simbolet se si duhej ndërtuar Evropa.
Filozofi iluminist danez, Ludving Holberg, e përshkruan kështu Skënderbeu-n’ “Me një fjalë mund të thuhet: Skënderbeu ishte luftëtari, prijësi dhe njëkohësisht heroi më i madh në histori”. Kurse, një nga epitetet më të përdorur për Skënderbeu-n është “Mbrojtës i Qytetërimit Perëndimor”.
Për shkak që është pjesë e identitetit kombëtar të shqiptarëve, përkujtimi për Skënderbeun është i pashmangshëm. Figura e Skënderbeut do te shërbente si inspirim për gjenerata me radhë. Në një nga periudhat më të ndritura të kombit shqiptar; Rilindjes, ai do të ishte figura kyçe, përmes të cilit rilindësit do ta ngrinin vetëdijen kombëtare – duke u thirrur në lavdinë e tij dhe në të njëjtën kohë të jepte reaksion përbrenda vendit për t’iu kundërvënë pushtuesit Osman.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com