Kosova

Bordi Editorial i Bloomberg: Amerika t’i tregojë Kosovës, KFOR-i s’rri pa fund atje


Kontigjenti italian i KFOR-it në Kosovë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’ua bëjnë të qartë liderëve kosovarë se vullneti i NATO-s për t’i mbajtuar trupat në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it nuk është i pafund, shkruan Bordi Editorial i gjigandit mediatik amerikan Bloomberg.

“SHBA duhet t’ua bëjë të qartë liderëve kosovarë që vullneti i NATO-s për t’i mbajtur trupat në Kosovë nuk është i pafund”, shkruan Bloomberg në një artikull të publikuar të enjten, ku ndër të tjera thuhet se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë “mund të rrezikojnë 3,700 trupat e NATO-s të stacionuara ende në Kosovë”.

Sipas tyre, diplomatët perëndimorë duhet t’i bëjnë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presindentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për t’i shtyrë ata drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse sepse “negociatat e dështuara do të inkurajonin oportunistët nga të dyja palët për të nxitur pasionet sektare për përfitime politike”.

SHBA dhe Bashkimi Evropian duhet të ushtrojnë presion më të madh mbi Kosovën dhe Serbinë për t’i kthyer në tryezën e dialogut dhe për të shmangur një luftë tjetër ballkanike përpara se ajo të fillojë, theksojnë autorët, duke vënë në pah historikun konfliktuoz mes grupeve etnike në Ballkan.

“Diplomatët perëndimorë duhet t’i bëjnë presion Kurtit që të pezullojë politikat që shihen si provokuese nga pakica serbe në Kosovë, për sa kohë që serbët të ndalojnë sulmet e policisë dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë”.

Ndërkaq, presioni mbi Vuçiç-in, sipas Bloomberg, duhet të bëhet asisoj që “BE-ja të përjashtojë avancimin e kërkesës së Serbisë për anëtarësim në Union derisa Beogradi të angazhohet për një afat kohor për njohjen e sovranitetit të Kosovës”.

“Diplomacia e qëndrueshme perëndimore është e nevojshme për të shmangur një luftë tjetër në rajon – dhe për të filluar ndërtimin e një të ardhmeje më shpresëdhënëse për popullin e tij”, përfundon artikulli i Bloomberg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore