Lajme

Shqetësim në Meksikë pas zhdukjes së tre gazetarëve


Tre gazetarë janë zhdukur që nga 27 dhjetori në Meksikë në një nga 32 shtetet e federuara më të prekura nga dhuna, denoncuan të mërkurën mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes.

Të tre punonin për një portal informacioni në shtetin Guerrero (jugperëndim), ku dhuna ka prekur edhe kryeqytetin e tij turistik Acapulco ditët e fundit.

Dy prej tyre u shfaqën të lidhur me zinxhirë në një video të publikuar në internet.

Njëri prej tyre pretendon se po paguajnë “pasojat” e publikimeve të tyre.

“Ne nuk e dimë se kur është regjistruar video”, tha për agjencinë “AFP” Balbina Flores, përfaqësuese e Reporterëve pa Kufij (RSF) në Meksikë.

RSF-ja ishte në gjendje të konfirmonte se gazetarët u zhdukën “në një zonë shumë të vështirë, shumë komplekse, pothuajse 100 për qind e kontrolluar nga ‘Familia Michoacana'”, një grup kriminal lokal.

RSF-ja dhe dy kolektivë të tjerë u kërkuan autoriteteve “të hetojnë dhe të koordinojnë për të gjetur menjëherë gazetarët”.

Më shumë se 150 gazetarë janë vrarë në Meksikë që nga viti 2000, sipas të dhënave të organizatës.

Krimet kanë mbetur kryesisht të pandëshkuara. Një zyrtar policie u vra të martën në Acapulco, ku ditët e fundit janë gjetur edhe mbetje njerëzore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore