Lajme

Grupet mediatike i kërkojnë qeverisë amerikane të ndalë ndjekjen penale të Assange


Qeveria amerikane duhet të heqë dorë nga ndjekja penale e bashkëthemeluesit të WikiLeaks, Julian Assange, sepse po minon lirinë e shtypit.

Ky është konkluzioni i organizatave mediatike që e ndihmuan atë të publikonte kabllogramet diplomatike të zbuluara.

Dymbëdhjetë vjet më parë, “The Guardian”, “New York Times”, “Le Monde”, “Der Spiegel” dhe “El País” bashkëpunuan për të publikuar fragmente nga 250 mijë dokumente të marra nga Assange në rrjedhjen e “Cablegate”.

I zbuluar në WikiLeaks nga ushtari i atëhershëm amerikan Chelsea Manning, materiali ekspozoi punën e brendshme të diplomacisë amerikane në mbarë botën.

Redaktorët dhe botuesit e organizatave mediatike që publikuan për herë të parë këto zbulime janë mbledhur për të kundërshtuar publikisht planet për të akuzuar Assange sipas një ligji të krijuar për të ndjekur penalisht spiunët e Luftës së Parë Botërore.

“Publikimi nuk është krim”, kanë thënë ata, duke shtuar se është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias.

Assange është mbajtur në burgun Belmarsh në jug të Londrës që nga arrestimi i tij në ambasadën ekuadoriane në Londër në vitin 2019.

Ai kishte kaluar shtatë vitet e mëparshme duke jetuar brenda ambienteve diplomatike për të shmangur arrestimin pasi nuk u dorëzua në një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar për çështje që kishin të bënin me një rast të veçantë.

Sekretarja e Brendshme e asaj kohe të Mbretërisë së Bashkuar, Priti Patel, miratoi ekstradimin e Assange në SHBA në qershor.

Mirëpo, avokatët e tij po apelojnë kundër këtij vendimi.

Qeveria amerikane, nën udhëheqjen e Barack Obama-s, tregoi se nuk do ta ndiqte penalisht Assange për rrjedhjen e informacionit në vitin 2010 për shkak të precedentit që do të krijonte.

Tani, mediat po i bëjnë thirrje administratës së Presidentit Joe Biden që të heqë akuzat.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore