Lajme

Kush i shtypi Kartagjenasit në Siçili 2 mijë 500 vjet më parë?


Në vitin 480 p.e.s., thuhet se një forcë e madhe nga Kartagjena sulmoi koloninë e lashtë greke të Himerës në bregun verior të Siçilisë. Por pushtuesve nuk iu eci.

Ushtria Kartagjenase u shpartallua nga një forcë greke numerikisht inferiore, sipas narrativës greke. Masakra ishte aq e madhe saqë Beteja e Parë e Himerës u ngatërrua nga historianët e lashtë grekë me një triumf të të njëjtës kohë në Salamis, ku forcat greke goditën pushtuesit persianë. Madje dy betejat, aq fatale për kombin dhe identitetin grek, thuhet se kanë ndodhur në të njëjtën ditë.

Në Betejën e Dytë të Himerës në vitin 409 p.e.s., kartagjenasit i mundën grekët dhe shkatërruan qytetin, duke ekzekutuar 3 mijë burra dhe duke skllavëruar çdo grua dhe fëmijë të mbijetuar.

Por pyetja është se kush luftoi saktësisht kë në Betejën e Parë të Himerës, një polis i pasur kozmopolit në termat e kohës me një popullsi të madhe prej rreth 14 mijë banorësh në kulmin e tij.

Rrëfimi i Betejës së Parë bazohet në burimet e lashta greke; pra të fitimtarëve. Numri i luftëtarëve që përmendin këta historianë, rreth 300 mijë në anën kartagjenase dhe rreth 50 mijë në atë greke, mund të ketë qenë një ekzagjerim.

E vetmja gjë për të cilën mund të jemi të sigurt është se burimet e lashta greke, kryesisht Herodoti dhe Diodorus Siculus, nuk u japin kredi mercenarëve barbarë për fitoren e Greqisë.

Këto burime përmendin një aleancë për Betejën e Parë kundër Kartagjenasve të tmerrshëm: ushtarë nga qytet-shtetet e afërta greke të Sirakuzës dhe Agrigentumit. Me fjalë të tjera, fitorja mahnitëse në Himera duket se ka qenë krejt greke.

Por një studim ndërdisiplinor i trupave të gjetur në shtatë varre masive nga dy betejat zbulon se ushtria fitimtare greke e vitit 480 p.e.s. kishte një sekret. Duket se një pjesë e luftëtarëve të saj ishin mercenarë të huaj jo nga bota greke, sipas një artikulli të botuar nga Laurie Reitsema e Universitetit të Gjeorgjisë, Alissa Mittnik e Institutit Max Planck për Antropologjinë Evolucionare, Britney Kyle e Universitetit të Kolorados Veriore, David Caramelli i Universitetit të Firences, Ron Pinhasi i Universitetit të Vjenës, David Reich i Harvardit dhe një mori kolegësh nga disa institucione të tjera.

Teoria e tyre bazohet pjesërisht në një analizë gjenomi të 54 trupave të lashtë. Prej tyre, 16 u varrosën në gjashtë varre masive që lidhen me betejën e vitit 480 p.e.s. (kur Greqia fitoi). Pesë ishin në një varr masiv të lidhur me betejën e vitit 409 p.e.s. (kur Kartagjena fitoi).

Studiuesit testuan gjithashtu 12 civilë nga Himera dhe 19 nga vendet siciliane të epokës së hekurit të Polizzello-s dhe Baucina-s, për t’i krahasuar ata me ushtarët. Varret masive u datuan në bazë të objekteve, monedhave dhe mallrave.

Duket se të gjithë trupat në varrezat masive ishin burra, ndërsa në mesin e civilëve në nekropol ishin gjysmë për gjysmë, duke mbështetur më tej tezën se në varrezat masive ndodheshin ushtarë të vdekur.

Studimi i ri mbështet një dokument të vitit 2021 bazuar në provat gjeokimike që së pari sugjeroi se shumë nga ushtarët e varrosur në varrezat masive nga Betejat e Himerës ishin jo vendas.

Ky hulumtim ekzaminoi izotopet e stronciumit dhe oksigjenit në dhëmbët e 62 ushtarëve dhe nxori përfundimin se në Betejën e Parë vetëm rreth një e treta e ushtarëve ishin lokalë dhe dy të tretat ishin jo-lokalë. Por në Betejën e Dytë, të cilën grekët e humbën, tre të katërtat ishin vendas.

Të dhënat gjenetike mund të tregojnë prejardhje që është atipike për një rajon, por nuk mund të përjashtojë që një person është rritur në rajonin ku ka vdekur, ndoshta duke qenë fëmijë i prindërve të huaj.

Megjithatë, dy pjesët e provave së bashku tregojnë një histori bindëse të njerëzve që lëvizin nga Evropa e largët veriore dhe lindore për të përballuar vdekjet e dhunshme në Siçili, thonë studiuesit.

Në të vërtetë, historianët e lashtë grekë pranuan se Himera i mbijetoi pushtimit të parë nga Kartagjena falë aleatëve dhe pretenduan se Greqia mbeti e pa ndihmuar herën e dytë (edhe më tepër hiperbolë, bazuar në analizën gjeokimike). Por askund historianët grekë nuk e shpjeguan rolin e rëndësishëm të mercenarëve në këto ushtri, siç mund të sugjerojnë zbulimet e reja.

Ne e dimë se historianët e dikurshëm ishin më pak të fiksuar se sa të sotëm me objektivitetin. Gjithashtu, ata ndoshta kërkuan të pikturonin një tablo të ushtrive heroike qytetare greke.

Jo të gjithë ishin grekë

Një pyetje është se si mund të themi se trupat në varrezat masive rreth 2 mijë e 600 vjeçare ishin Himeranë, jo Kartagjenas – ose ndoshta të dyja. Përgjigja e shkurtër, thotë Mittnik, është se ne nuk mund ta dimë me siguri. Por ajo duket mjaft e sigurt nga identifikimin e trupave.

Së pari, varret masive nga Beteja e Parë u gjetën në varrezat e qytetit, vëren ajo, duke sugjeruar se ato ishin Himerane, jo armike.

“Ishte praktikë tipike në luftën greke që fituesi t’i lejonte armikut hyrjen në fushën e betejës për të hequr të vdekurit e tij,” thotë ajo.

Kështu që supozimi është se Kartagjenasit i trajtuan vetë të vdekurit e tyre.

Gjithashtu regjistrimi historik përshkruan beteja të mëdha, kështu që vetëm 64 trupa Himeranë në shtatë varre masive nuk përputhen me narracionin. Por, vëren Mittnik, ndoshta do të gjenden më shumë varre të tilla.

“Ka një histori rreth ushtrisë kartagjenase që hasi në mot të keq në det dhe pësoi humbje të mëdha para se të arrinte në Himera, gjë që mund ta letë ndihmuar ushtrinë Himerane,” thotë Mittnik.

Ose të gjitha mund të jenë krijesa historike, por ajo që mund të thuhet me siguri është se burrat e varrosur në varret masive ishin meshkuj dhe kishin prova të vdekjes nga trauma. Mjerisht për pasardhësit, nuk kishte armë të tjera apo sende në varre për të ndihmuar në identifikimin më të sigurt të trupave.

Por tani e dimë se rreth gjysma e njerëzve në varret masive nga Beteja e Parë ishin të huaj, shumë të huaj.

Kush ishin sicilianët?

Si e dinë studiuesit se të paktën disa nga ushtarët ishin nga vende të largëta? Duke i krahasuar me siçilianët vendas të asaj kohe, apo ata më herët.

Kush ishte një vendas në Siçili, gjithsesi? Në parahistori, dëshmitë arkeologjike tregojnë lidhjet midis Siçilisë dhe Mesdheut lindor (Anadolli, Iran) të paktën që nga epoka e hershme e bronzit. Duke kaluar në epokën e hekurit, në shekullin e nëntë p.e.s., fenikasit u shfaqën edhe në Siçili dhe në shekullin e tetë p.e.s., mbërritën edhe grekët.

Dëshmitë gjenetike tregojnë se sicilianët qendrorë indigjenë të njohur si kultura Sicani ishin mjaft homogjenë. Ata kishin tiparet “normale” për zonën, që nga fermerët e hershëm në Iran dhe Anadoll, gjuetarët perëndimorë, barinjtë e stepave Yamnaya dhe ndoshta banorët e Spanjës dhe Italisë.

Ekziston një enigmë gjithësesi. Diodorus tha se Sicani ishin banorët aborigjenë të Siçilisë, ndërsa Thucidides këmbënguli se ata ishin kolonë nga Iberia. Që nuk do të thotë asgjë. Asnjëra palë nuk kishte asnjë mjet për të mbështetur pretendimet e saj, të cilat bazoheshin në informacione të dorës së dytë ose të tretë dhe madje në rastin e Diodorus, qindra vjet pas ngjarjeve në fjalë.

Zbulimi i ri sugjeron që rezultatet e tij paraprakisht mbështesin të dy skenarët, por ai shtjellon se Sicani nuk kishte gjasa të ishin vetëm të lindurit nga popullsia spanjolle ose ndonjë tjetër jo-siciliane.

Qyteti i Himerës ishte një koloni e themeluar nga grekët në Siçili rreth vitit 648 p.e.s. Analiza e autorëve tregon se këta emigrantë u martuan me sicilianët indigjenë, kështu që gjurmët gjenetike të të dy grupeve janë të pranishme. Autorët gjithashtu tregojnë gjurmë nga njerëz të tjerë vendas, disa prej të cilëve duket të kishin prejardhje afrikano-veriore gjë që sugjerojnë se mund të ishin fenikas.

Nga luftëtarët e huaj të analizuar nga Beteja e Parë, shtatë nga 16 ishin grekë/sicilianë, domethënë vendas. Që do të thotë se më shumë se gjysma ishin mercenarë, të cilët duket se kanë ardhur nga Evropa veriore, Trakia (Bullgaria e sotme), Ballkani në përgjithësi, Ukraina dhe stepa e Azisë Qendrore.

Nga varri masiv i Betejës së Dytë, të pesë trupat ishin gjenetikisht në përputhje me origjinën greke dhe siciliane. Analiza izotopike gjeti disa mercenarë të mundshëm në Betejën e Dytë, por një përqindje shumë më e vogël se në Betejën e Parë.

Shkurtimisht, analiza gjenetike mbështet prova të tjera dhe tregon se në vitin 480 p.e.s. ushtria greke, e shtuar nga muskujt e huaj, i shtypi kartagjenasit. Por 71 vjet më vonë, ushtria greke me sa pati nevojë për një kontingjent më të vogël ndihme të huazuar dhe humbi.

Për luftërat duhen mercenarët

Pse mercenarët e epokës së hekurit do të udhëtonin qindra apo edhe mijëra kilometra vetëm për të luftuar? Përgjigjet e mundshme janë të shumta, por autorët vërejnë se Siçilia ishte veçanërisht tërheqëse për ushtarët me pagesë, sepse tiranët u pasuruan dhe mund të paguanin shumë për të mbrojtur veten dhe pasuritë e tyre.

Kjo praktikë mund të ketë arritur pikën e profesionalizmit, ku harkëtarët u punësuan nga Scythia dhe peltastët (këmbësorë të lehtë me mburoja) nga Thraka, shkruajnë studiuesit.

Dhe kështu ne mësojmë nga analiza izotopike dhe tani gjenomike faktin që njerëzit lëviznin nëpër distanca të mëdha gjatë periudhës klasike. Ata nuk lëvizën vetëm rreth Mesdheut.

Asgjë për t’u çuditur. Njerëzit kanë qenë në lëvizje që nga fillimi i specieve tona. Kafka erektus milionavjeçare e gjetur në Kinë dhe që po bën lajm kohët e fundit është larg nga erektusi më i hershëm nga Afrika. Një tjetër i gjetur në Gjeorgji i përket një epoke 1.8 milionë vjet më parë dhe po ashtu është larg.

Gjithsesi, në vitin 409 p.e.s., një komandant kartagjenas i quajtur Hannibal erdhi me njerëzit e tij në Betejën e Dytë të Himerës dhe këtë herë Kartagjena fitoi. Forcat e tij shkatërruan qytetin, gratë dhe fëmijët u kapën dhe u skllavëruan, dhe mijëra të burgosur grekë u ekzekutuan (ky është versioni grek i ngjarjeve).

Për ironi, fitorja e Kartagjenës u arrit ndoshta edhe me ndihmën e mercenarëve.

Marrë nga Haaretz, përshtatur për Albanian Post

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore