Kosova

Konjufca përkujton sulmet 11 shtatorit: Jemi pranë dhimbjes së familjeve të viktimave


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se më 11 Shtator 2001, Nju Jorku, Washingtoni dhe Pensilvania u goditën nga një seri sulmesh të koordinuara terroriste, që lan prapa mijëra njerëz të vdekur dhe të plagosur.

Ai ka theksuar se mizoria që tronditi botën nuk ishte goditje vetëm kundër popullit amerikan dhe ShBA-së, por edhe sulm brutal mbi vlerat e lirisë, demokracisë, mirëqenies, civilizimit dhe paqes globale.

“Edhe sot, në 21-vjetorin e kujtimit të njërës ndër ditët më të tmerrshme në historinë e botës, populli dhe shteti ynë, Republika e Kosovës, me mendje e zemër janë pranë dhimbjes së familjeve të viktimave, popullit mik amerikan dhe përkrah shpëtimtarit e aleatit tonë më të fuqishëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar në Facebook Konjufca.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Ablin Kurti, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla dhe zëvendësambasadorja amerikane në Kosovë, Alyson Grunder, kanë pëkujtuar viktimat e sulmit terrorist të 11-shtatorit në New York ku vdiqën gati 3000 mijë persona dhe kanë vendosur vendosur lule në Memorialin në oborrin e Qeverisë.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kujtuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA.

“Sot, me dhembje kujtojmë 11 shtatorin e vitit 2001, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës u goditën nga sulmet terroriste, që morën jetën e rreth 3 mijë personave. Megjithatë, ajo që ishte menduar të ishte goditje për SHBA-të dhe botën demokratike, vetëm sa i bashkoi të gjithë, për tu ngritur më fuqishëm e më guximshëm se kurrë kundër terrorizmit dhe në mbrojtje të më të shtrenjtës: Lirisë! Frontit të përbashkët global kundër terrorizmit, që udhëhiqet nga SHBA-të tash e 21 vjet, i është bashkuar edhe Kosova”, ka shkruar në Facebook ai.

“Në përvjetorin e 21-të të kësaj ngjarjeje që ndryshoi drejtimin e historisë së re, qëndrojmë pranë popullit mik amerikan, për të kujtuar këtë ditë dhe për të ndarë dhembjen dhe pikëllimin me ta”.

Ndërkaq kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë “21 vjet më parë, 3000 jetë humbën në sulmet terroriste të 11 shtatorit”.

“Sot ne kujtojmë dhe nderojmë viktimat, familjet e tyre dhe heronjtë që ndihmuan në kohën kur kishte nevojë”, ka shkruar Abdixhiku.

Më 11 shtator, SHBA-të, superfuqia më e madhe e botës, ishin goditur nga një seri sulmesh terroriste.

2977 qytetarë mbetën të vrarë. Mbi 25 mijë të tjerë, u plagosën. Ndërsa fati i botës, do të ndryshonte përgjithmonë.

Sot, 21 vjet më pas, ende të afërmit e viktimave enden proceseve ndaj krerëve që kanë mbetur të Al-Qaeda-s, mes të cilëve, Khalid Sheikh Mohammed, i cili u kap më 1 mars 2003, 18 muaj pas ndodhive në World Trade Center.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore