Në një studim të ri të Universitetit të New York-ut është zbuluar se jo të gjitha dezinformimet në median sociale Facebook janë të barabarta kur faktorizohet ideologjia politike duke nxjerrë se ato të ekstremit të djathtë angazhojnë më tepër audiencën.
Agjensia e lajmeve, CNN, shkruan se në bazë të hulumtimit mbi përhapjen e dezinformimeve të llogarive të vlerësuara si të djathta ekstreme nga vëzhguesit e jashtëm të medias sociale, ka dalë se ato gjenerojnë më shumë pëlqime dhe forma të tjera të angazhmit në faqet përkatëse në Facebook.
Konkluzioni është produkt i ballafaqimit me faqet që përbejnë një burim të besueshëm të informacionit të krahut të djathtë, të cilët nga ana e tyre gjenerojnë më shumë angazhim se sa burimet e majta të dezinformimit.
Laura Edelson, studjuese në nismën e Sigurisë Kibernetike për Demokraci në Universitetin e New York-ut, ka deklaruar se rezultatet e studimit japin prova se burimet dezinformuese të krahut të djathtë përbejnë krijuesit më tërheqës të përmbajtjes në Facebook.
“Në një mënyrë ose në një tjetër, burimet e keqinformimit të ekstremit të djathtë janë në gjendje të angazhohen në Facebook me audiencat e tyre, shumë më tepër se çdo kategori tjetër”, tregoi Edelson.
Ajo shtoi gjithashtu se “kjo është mjaft e rrezikshme për një sistem që përdor angazhimin për të përcaktuar se çfarë përmbajtje do të promovojë”.
Sipas CNN, studimi ka angazhuar rreth 3 mijë burime të lajmeve dhe informacioneve që operojnë në faqet e mëdha në platformën Facebook.
Ndër të tjera, studjuesit përdorën edhe CrowdTangle, një mjet në pronësi të Facebook-ut, i cili tregon të dhënat e angazhimit për çdo postim publik të platformës. Në analizë u morën të dhënat e pesë muajve nga muaji gusht i vitit 2020 deri në muajin janar të vitit 2021.
Nga ana tjetër, Facebook-u nuk i është përgjigjur menjëherë një kërkese për koment. Mirëpo, më vonë ka deklaruar se raporti nuk u siguron studjuesve qasje të mjaftueshme në të dhënat e tij për të përcaktuar nëse algoritmet favorizojnë dezinformimin me një prirje të caktuar ideologjike.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com