Kosova

Tahiri: Janë 8 persona që i dinë të gjitha keqpërdorimet e qeverisë me rrymën


Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, e ka ngritur sërish çështjen e ngritjes së komisionit hetimor për energjinë elektrike në një konferencë për media. Ai ka paraqitur të dhëna të sasisë së prodhimit të energjisë elektrike, importit dhe eksportit në katër muajt e fundit në Kosovë.

I pyetur nga Albanian Post se a i kanë informuar sinjalizuesit e tyre për ndonjë parregullsi, Tahiri është shprehur se vazhdojnë të kenë dyshime për situatën e krijuar.

“Ne kemi dyshime konkrete për krejt këtë situatë çka po ndodh. Ajo që është shumë e rëndësishme është që një grup i vogël i njerëzve që nuk e kalojnë besoj shifrën 8 të cilat në këto institucione i dinë këto zhvillime”, deklaroi Tahiri.

Ai tutje ka bërë të ditur se do të i ftojnë edhe personat të cilët janë të informuar lidhur me këto zhvillime në komision.

“Ne sot nuk kemi mandat me i marrë ata njerëz me i pyet për të gjitha këto punë dhe pikërisht është i nevojshme themelimi i komisionit hetimor që do të i ftojmë këta 7 ose 8 persona në institucionet e republikës së Kosovës që kanë dijeni për të gjitha këto informacione”.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Sipas tij, këto informacione nuk janë të plota pa praninë e tyre.

“Pra këto të dhëna janë gjysmake pa praninë e tyre dhe pa nxjerrë në pah se sa për qind i atyre parave nga ky 100 milionësh janë shpenzuar, si janë shpenzuar para pse është ngritur çmimi i energjisë elektrike në 100 për qind”.

Ndërsa, Tahiri shprehet se këto informacione kanë ardhur tek PDK-ja pasi që kanë kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Sipas kërkesës për import, ne kemi importo rryme me 5 për qind në këta tre muaj kritik, pikërisht janë këta sinjalizues të cilët na kanë sjellë të dhënat me iniciativën e tyre duke bërë një angazhim tonë në kundërshtimin e shtrenjtimit të rrymës dhe besoj që janë të dhëna të mjaftueshme që do t’i bëjnë të mendojnë mirë deputet e Lëvizjes Vetëvendosje”.

Tabela e paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ai shtoi se, “ne nuk të ndalemi në asnjë rrethanë për të zbardhur çdo të vërtetë të mundshme të krizës energjetike”.

Bazuar në të dhënat që ka paraqitur Tahiri ka thënë se shumica e kërkesës për konsum të energjisë gjatë shkurtit, marsit dhe prillit në Kosovë, është mbuluar nga prodhimi, duke ngritur dyshimin për ngritjen e tarifave të energjisë dhe ndarjen e mjeteve për subvencionim të këtyre tarifave.

“Gjatë këtyre tre muajve ne e kemi paguar dyfishin e prodhuar nga KEK-u me çmimin e njëjtë. KEK-u s’e ka shtrenjtuar çmimin e megawatit, neve na janë dyfishuar tarifat, plus janë ndarë 100 milionë euro për subvencionim të tarifave. Si janë shpenzuar rreth 100 milionë euro të ndara nga qeveria e Kosovës për subvencionim të tarifave. Prodhimi në vendin tonë e ka mbuluar kërkesën për konsum”.

Gjithashtu, kërkoi sqarim nga qeveria Kurti se përse është ngritur çmimi i tarifave të energjisë, kur KEK-u nuk e ka shtrenjtuar prodhimin.

“Të panjohurat tona janë pse duhet të dyfishohet çmimi i energjisë elektrike dhe që KEK-u nuk e ka shtrenjtuar dhe pse duhet të subvencionohen tarifat kur nuk ka kërkesë për import”.

Kurse apeloi tek partia në pushtet që të mos e bllokojë të enjten themelimin e komisionit hetimor për energjinë.

Më 26 prill, kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, sërish e ka mbrojtur vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike, pavarësisht vendimit të Gjykatës Themelore për masë të përkohshme.

Fejzullahu, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi u shpreh se tarifat e energjisë me çmim të shtrenjtuar janë në fuqi, pasi s’ka vendim të prerë nga gjykata dhe se ZRRE-ja ka shfrytëzuar të drejtën e ankimimit në Gjykatën e Apelit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore