Lajme

Mumiet-fëmijë të Sicilisë – shkencëtarët shpresojnë të zbulojnë misterin


Studiuesit kanë vendosur që t’i japin fund misterit mbi eshtrat e 163 fëmijëve, që dergjen në Katakombin e Kapuçinëve në Palermo – Sicilinë Veriore.

Një ekip shkencëtarësh nga Britania, me në krye studiuesin Kirsty Squires nga Universiteti Staffordshire, do të përdorin teknologjinë me rreze X për të hedhur dritë mbi sekretet 200-vjeçare të fëmijëve të varrosur në këtë katakomb.

Trupat e fundit të internuar në katakombe vdiqën në fillim të shekullit XX.

Hulumtimi mendohet që të zgjasë dy vjet dhe do të përqendrohet kryesisht te fëmijët që humbën jetën midis viteve 1787-1880.

Fillimisht do të analizohen rreth 41 trupa, që banonin brenda një “kapelë fëmijësh”.

Sot nuk dihet asgjë mbi identitetin e fëmijëve dhe shkakun e vdekjes së tyre në këto katakombe. Etiketat përshkruese të bashkangjitura me ta, sipas studiuesve, janë gërryer prej kohësh.

Katakombet e Kapuçinëve

Në qytetin sicilian të Palermos dergjen 1 mijë e 284 trupa të mumifikuar dhe të skeletuar. Ky është koleksioni më i madh i mumieve në Evropë.

Ndërsa shumë nga fëmijët e balsamosur duken sikur po flenë.

Studiuesi Squires ka bërë me dije se puna në terren do të fillojë në muajin janar.

“Ne do të shkojmë në terren dhe do të marrim një njësi portative me rreze X. Do të bëjmë qindra imazhe të fëmijëve, nga këndvështrime të ndryshme”.

Më tej, ai thotë se, nëpërmjet krahasimit të të dhënave biologjike me ato kulturore, synohet të hidhet dritë mbi “zhvillimin, shëndetin dhe identitetin e tyre, por edhe mënyrën sesi janë balsamosur njerëzit dhe rrobat që mbajnë veshur”.

Një fakt interesant i këtyre katakombeve është se të vdekurit shpesh ishin të veshur me stolitë e tyre dhe vizitoheshin nga të afërmit.

Nga ana tjetër, studiuesi Dario Piombino-Mascali, pjesë e ekipit kërkimor të Squires-it, tha se shumë nga mumiet janë rezultat i dehidrimit natyror. Mumiet e trajtuara kimikisht zakonisht ruhen më mirë.

“Disa prej tyre janë ruajtur në mënyrë të shkëlqyer. Disa me të vërtetë duken si fëmijë të fjetur. Ata janë errësuar me kalimin e kohës, por disa prej tyre kanë edhe sy të rremë, aq sa ju duket sikur po ju shikojnë. Ato ngjajnë me kukulla të vogla-të vogla”.

Squires zbulon gjithashtu se imazhet radiografike për 14 mumie (nga koka te këmbët) do të merren në shqyrtim nga kirurgu-ortoped Robert Loynes, i cili më parë ka hetuar mumiet e lashta egjiptiane.

Në të njëjtën kohë, imazhet do të vizatohen prej artistit Eduardo Hernandez, nga Los Angeles-i.

Ai do të prodhojë ilustrime për përdorim në fletëpalosje edukative për shpërndarjen në katakombe dhe gjetkë.

Projekti në fjalë kushton mbi 70 mijë paund dhe financohet nga Këshilli i Kërkimeve të Arteve dhe Shkencave Humane në Mbretërinë e Bashkuar.

Marrë nga “The Guradian”, përshtatur për Albanian Post. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore