Hiperseksualiteti njihet edhe si çrregullimi i sjelljes seksuale kompulsive, ose më shpesh, thjesht si varësia ndaj seksit.
Kur një person ka një fiksim obsesiv ndaj seksit, akteve seksuale dhe fantazive seksuale, ai mund të jetë hiperseksual.
Ky fiksim është zakonisht aq i rëndë sa mund të prishë funksionimin e përditshëm të një personi.
Disa kërkime tregojnë se nga 3% deri në 6% e njerëzve jetojnë me një formë të çrregullimit të varësisë seksuale ose çrregullimeve të lidhura me të dhe se kjo gjendje prek kryesisht meshkujt.
Njerëzit me hiperseksualitet mund të shfaqin një mori sjelljesh problematike seksuale si konsumimi i tepërt i përmbajtjes pornografike, masturbim i tepruar ose përfshirja në aktivitete seksuale me një numër të madh partnerësh.
Ky artikull mbulon shenjat e hiperseksualitetit, shkaqet dhe përshkruan opsionet e mundshme të trajtimit.
Karakteristikat
Hiperseksualiteti duket ndryshe tek çdo individ që e ka këtë gjendje. Ndërsa një person mund të luftojë kryesisht me kontrollin e fantazive të tij seksuale, një tjetër mund të luftojë me kontrollin e dëshirës për të kryer disa akte seksuale si për shembull masturbimi.
Disa nga karakteristikat më të zakonshme që përfshin një person hiperseksual janë sjelljet seksuale kompulsive, fantazitë seksuale të përsëritura dhe të pakontrollueshme.
Tutje, personat hiperseksual kanë vështirësi për të krijuar dhe mbajtur një marrëdhënie me njerëzit e tjerë, veçanërisht një partner romantik për shkak të preokupimit të tyre me seksin si dhe e kanë pothuajse të pamundur kontrollimin e dëshirave seksuale
Identifikimi i hiperseksualitetit
Ka pasur disa polemika rreth klasifikimit të hiperseksualitetit si një çrregullim mendor.
Sipas disa ekspertëve, kjo gjendje nuk ekziston. Megjithatë, identifikimi i hiperseksualitetit mund të jetë i vështirë, pasi Manuali Diagnostik dhe Statistikor i Çrregullimeve Mendore (DSM-5), i cili parashikon diagnozën e disa kushteve të shëndetit mendor, nuk ofron kritere për diagnostikimin e hiperseksualitetit ose sjelljes seksuale kompulsive.
Disa profesionistë të shëndetit mendor përdorin kriteret e diagnozës për kushte të tilla si varësia e sjelljes për të ndihmuar në diagnostikimin e hiperseksualitetit.
Kjo është për shkak se hiperseksualiteti mund të konsiderohet një formë e varësisë së sjelljes ose një çrregullim i kontrollit të impulsit.
Duhet bërë shumë më tepër kërkime për kushtin për të siguruar kritere të sakta për diagnostikimin e hiperseksualitetit.
Shkaqet
Është pak e paqartë se çfarë e shkakton saktësisht hiperseksualitetin.
Gjendje të tilla si epilepsia mendohet se shkaktojnë dëme në disa pjesë të trurit, të cilat nga ana tjetër mund të shkaktojnë hiperseksualitetin.
Truri kontrollon pothuajse të gjithë funksionimin tonë të përditshëm, duke përfshirë sjelljen seksuale.
Një çekuilibër kimik mund të shkaktojë ose mungesë të plotë interesi për nxitjet apo sjelljet seksuale ose hiperseksualitet. Ka disa prova që sugjerojnë se një çekuilibër i dopaminës mund të shkaktojë këtë problem.
Sipas disa studiuesve, hiperseksualiteti mund të zhvillohet si një efekt anësor i disa ilaçeve.
Medikamentet zëvendësuese të dopaminës, të përdorura zakonisht për të trajtuar sëmundjen e Parkinsonit, janë gjetur si faktorë që shkaktojnë hiperseksualitet.
Ndikimin mund të ketë edhe abuzimi me drogë dhe alkool dhe abuzimet seksuale.
Mjekimi
Ashtu si me shumë kushte të tjera të shëndetit mendor, hiperseksualiteti më së shpeshti trajtohet me një kombinim të medikamenteve dhe psikoterapisë.
Medikamentet
Një nga shkaqet e mundshme të hiperseksualitetit është një çekuilibër kimik në tru. Medikamentet mund të ndihmojnë me këtë dhe të ndihmojnë në zbutjen e simptomave të problemit.
Stabilizuesit e humorit si Lithobid, Depakote dhe Depakene përdoren zakonisht për të trajtuar çrregullimin bipolar.
Megjithatë, disa kërkime tregojnë se ato mund të ndihmojnë në reduktimin e dëshirave seksuale tek njerëzit që kanë hiperseksualitet.
Në raste të caktuara, hiperseksualiteti mund të shkaktohet nga kushte të tjera të shëndetit mendor si depresioni.
Trajtimi i gjendjes që shkakton hiperseksualitet mund të ndihmojë gjithashtu në kontrollin e nxitjeve dhe sjelljeve seksuale.
Vivitrol përdoret zakonisht për të trajtuar varësinë ndaj alkoolit dhe opiateve. Mund të përdoret gjithashtu për të trajtuar kushte si hiperseksualiteti i cili konsiderohet të jetë një varësi e sjelljes.
Përballimi
Shumë njerëz me hiperseksualitet raportojnë se ndjejnë një ndjenjë të thellë turpi ose siklet. Ashtu si me çdo gjendje tjetër mendore, trajtimi i duhur dhe strategjitë e përballimit mund t’ju ndihmojnë të jetoni një jetë të shëndetshme dhe të mbani nën kontroll dëshirat tuaja.
Nuk ka asnjë arsye për të ndjerë turp apo siklet për të pasur një varësi ndaj seksit. Është e rëndësishme t’i lini mënjanë këto emocione dhe të përqendroheni në marrjen e ndihmës që ju
Përmbajuni planit tuaj të trajtimit në mënyrë rigoroze për të parë përparimin.
Mos e ndërprisni trajtimin papritmas sepse mendoni se po filloni të ndiheni më mirë. Kjo mund të shkaktojë një rikthim më të rëndë. Nëse jeni duke marrë medikamente, konsultohuni me mjekun tuaj përpara se të ndryshoni ose ndaloni dozën.
Nëse jeni në terapi, vazhdoni të shkoni në seancat e terapisë vazhdimisht.
Mos kini turp të kërkoni ndihmë. Sa më shpejt të kërkoni ndihmë dhe trajtim për gjendjen tuaj, aq më shpejt do të shkoni në rrugën tuaj drejt rikuperimit.
Mbajtja e gjendjes tuaj të fshehtë nga miqtë, familja dhe mjeku juaj mund të jetë e dëmshme dhe të shkaktojë që gjendja të ndërhyjë më tej në funksionimin tuaj të përditshëm.
Bashkohuni me një grup mbështetës. Bashkimi në një grup mbështetës me njerëz të tjerë me këtë gjendje ju ndihmon të mbani mend se nuk jeni vetëm.
Largohuni nga situatat nxitëse sepse në rrugën tuaj drejt rimëkëmbjes është e rëndësishme të shmangni aktivitetet dhe situatat që mund t’ju kthejnë prapa.
Për shembull, shumë profesionistë të shëndetit mendor i dekurajojnë shumë njerëzit me hiperseksualitet nga konsumimi i çdo përmbajtje pornografike.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com