Vende

Amerikani, i cili jetoi “avash avash” si shqiptarët


Dashuritë jo gjithnjë gjenden lehtë në jetë dhe në shumë raste, ato lindin fare rastësisht, nga veprime apo vendime të ndërtuara në çast dhe të jetësuara në kohë.

Ndoshta, Mike Toughill, nuk do ta kishte menduar ndonjëherë dashurinë përtej vendit të tij të lindjes, SHBA-ve, por sot ai, veten në media sociale, e identifikon veten si një amerikan në Shqipëri.

Dy vjet iu deshën Mike-ut për të “metamorfizuar” qenien e tij të ngjizur si amerikan, duke e bërë të romantizonte kureshtjen e tij me historinë, kulturën e traditat shqiptare.

Gjithçka nisi në vitin 2019, kur e shoqja e tij aplikoi për një punë si mësuese, në një shkollë ndërkombëtare në Tiranë. Periudha ishte ajo e pak para pandemisë, ndaj dhe rastësia, mund të merrte dy kahe.

Mike Toughill dhe bashkëshortja e tij

“Kishim vetëm pak ditë për të mbledhur gjërat tona në shtëpinë në Seattle, përpara se shkolla të fillonte”, rrëfen ai për Albanian Post fillimin e rrugëtimit drejt vendit të shqiponjave.

“Pasi mbërritëm, ramë në dashuri me vendin. Kjo, edhe pse nuk dinim shumë për Shqipërinë përpara ardhjes”.

Gjithsesi, me rënien e pandemisë, dy opsione ishin të mundshme për Mike-un dhe bashkëshorten e tij: Të ktheheshin në SHBA, ose të qëndronin në Shqipëri.

“Vendosëm të rrinim. Na dukej se situata ishte shumë më e lehtë me COVID se sa në SHBA. Përtej faktit se fluturimi na u ofrua, vendosëm të qëndronim”.

Gjithçka do të pasonte, do të ishte një ngjizje e rrallë ndërkulturore mes një amerikani dhe një shteti të vogël ballkanik.

“Avash Avash”

Kultura, është ajo e cila rrënjësisht, e kaploi amerikanin në Shqipëri. Jo thjesht ajo e trashëgimisë, por edhe ajo e zakoneve dhe mënyrës së të jetuarit.

“Ritmi i jetës është kaq i rehatshëm këtu. Ke kohë për të shpenzuar me familjen në darkë, me miqtë në kafene nën mishërimin e një ethosi të stilit ‘avash avash”, përshkruan ai qëndrimin në Shqipëri.

Foto e shkrepur nga Mike Toughill në Gjirokastër, qytetin e tij shqiptar të preferuar

Për Mike-un, vetë gjuha, është poezi e gjallë. “Unike ndër gjuhët e botës, e lashtë sa edhe e rifreskuar me ndërveprimet rreth kulturave të tjera”, siç e përshkruan vetë ai.

Muzika tradicionale për amerikanin, është kujtesa e një heroizmi të shkuar, nën tingujt shpirtkërkues qoftë të lahutës vajtuese në Gegëri, apo të e zërave polifonikë harmonikë në Toskëri.

Vetë ushqimi sipas tij, e përkufizon më së miri qasjen e çdo krahine ndaj jetës. Për të mos folur më pas për rakinë apo verërat e ndryshme.

Sakaq, ai ndalet me ngulm edhe në historinë e pasur shqiptare, e cila daton mijëra vjet pas në kohë.

Shijen artistike, Mike e sheh kudo, nga veshjet tradicionale të praruara, tek tapetet e tepisur apo talentet e ikonave mesjetare dhe artit klasik shqiptar.

Foto e kishës së Shna Ndout, Laç, e shkrepur nga Mike Toughill

“Dhe, mbi të gjitha, ajo e cila më mahnit më shumë, është tradita e nderimit dhe bujarisë në zemrat e shqiptarëve, të cilët e jetësojnë kulturën e tyre. Në Shqipëri, Besa jeton dhe frymon çdo ditë. Mbi gjithçka, veçoritë e jetës këtu, janë ato të cilat mungojnë në shoqërinë e sotme”.

Mike-un e mahnisin “banesat e zotave”, bunkerët, rrënojat apo shtëpitë tradicionale.

“Përsheshi” i të gjithave për të, është ajo çfarë e bën këtë vend.

Gjergj Kastrioti i “Sheshit Skenderbej”

Një pasion i vërtetë është kultivuar tek Mike, sa i përket historisë së vendit. Shumë të tilla, ia ngacmojnë atij kureshtjen dhe e nxisin të lexojë e mësojë më shumë.

Aq, sa ai të gjithë profilin e tij në Instagram, ia ka kushtuar historive të bukura shqiptare.

“Jam i tejmbushur me histori shqiptare të cilat më pëlqejnë. Shkoj të vizitoj në Tepelenë kështjellën e Ali Pashës dhe has rrugës historinë e Konjë Çurres. Shkrep një foto dhe kryej kërkime. Një histori tërësisht e re është përpara syve të mi, për të zbuluar e shkruar mbi të”.

Por sërish, historia e tij e preferuar, është “dashuria” e tij e parë në Shqipëri – ajo e Gjergj Kastriotit.

Foto e statujës së Gjergj Kastriotit, e shkrepur nga Mike Toughill

Mike e përshkruan ditën e tij të parë në Tiranë, në një mënyrë që asnjë vendali, nuk e sheh ndoshta bukurinë e vendit ku është lindur, rritur e po jeton.

“Në ditën time të parë në Shqipëri, shkuam në ‘Sheshin Skënderbej’. Aty është monumenti i këtij heroi të madh, me parzmore, shpatë e mburojë. Më kaploi menjëherë. E dija se do të ishte një subjekt, i cili do të më tërhiqte”.

Mike tregon se si ai menjëherë shkoi në një librari aty pranë, për të blerë një libër mbi historinë e Gjergj Kastriotit. Që prej asaj dite, ai vazhdon të shkruajë histori mbi Skënderbeun. Ai ka udhëtuar drejt vendeve ku Skënderbeu ka luftuar, për ta përfytyruar historinë, si të ishte përballë tij në atë çast.

Pasuria – Ajo e vërtetë

Me fjalët si Mike flet për Shqipërinë, është veçse e natyrshme që dikush të pyesë, se pse ai e bën gjithë këtë.

Përgjigja e tij, është çiltërsisht e shkurtër: Për të falënderuar mirësinë që shqiptarët më kanë treguar!

“Në qytete të mëdha, në fshatra të vegjël, çdo ditë, shqiptarët më kanë treguar mikpritjen e tyre. më kanë ftuar shumë herë për një pije apo për të shpenzuar kohë me ta, në një çast vëllazërie, vetëm prej faktit se unë jam i interesuar mbi njerëzit dhe vendet që e bëjnë Shqipërinë të pasur”.

Ai e pranon se të qenit amerikan, kurrë nuk i ka bërë dëm. Shpesh i kanë treguar respekt dhe kështu, ai këtë respekt, e ka rikthyer duke rrëfyer historitë shqiptare në anglisht.

Dëshira e tij, është një e vetme, e përkthyer në shpresë.

Foto e Beratit e shkrepur nga Mike Toughill

“Shpresoj se historitë që tregoj, do të mund të ndihmojnë të rinjtë shqiptarë në SHBA, të cilët janë rritur kaq larg tokës së shqiponjave, të njohin historinë e tyre të mahnitshme dhe të kujtojnë traditën e tyre të pasur”.

Pas dy vjetësh qëndrim, Mike është rikthyer në SHBA. Ai e pranon se shumë gjëra prej andej, i patën munguar në dy vjet.

Posta që vjen në shtëpi, kafet e mëdha amerikane, parkimi më i thjeshtë për shkak të rrugëve, apo rakia – më mirë të themi mungesa e saj – janë ndër to.

Por diçka, është e sigurt. Ashtu si shqiptarët, “avash avash”, Mike nuk është më thjesht një amerikan.

Të gjithë e dinë, se ai është një amerikan në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore