“Ne studiojmë tokën, territorin, klimat e Burgundy në terma afatgjatë për brezat e ardhshëm. Është jeta jonë, e prindërve dhe e gjyshërve tanë… dhe fëmijëve tanë gjithashtu”.
Është ky rrëfimi i presidentit të Federatës së Shtëpive të Verës Burgundy, Alberic Bichot, sa i përket prodhimit të verës, i cili sjell në vëmendje se 2021-ta ishte një vit katastrofik për të gjithë prodhuesit e verёs Burgundy tё Francёs.
Ndryshimet klimatike goditën prodhimin nё muajin prill. Në momentin kur sythat delikate të hardhive po lulëzonin, papritur temperaturat ranë ndjeshëm.
Për tre net, prodhuesit e verës dogjën qirinj poshtë vreshtave të tyre, me shpresën se do t’i shpëtonin të korrat e tyre nga dëmtimi prej ngricave.
Temperaturat ranë aq shumё, saqë në disa pjesë gjysma e të korrave u dëmtuan dhe Franca shpalli “katastrofën bujqësore”.
Bichot bëri me dije se tre netët me ngrica i kushtuan rajonit 1 miliard euro.
Sa u përket të korrave të tij, ai tha se 70% e rrushit të verës së bardhë dhe 40% e rrushit të kuq shkuan dëm.
Oferta “e ashpër”
Megjithatë, disa lajme të mira qarkulluan në ankandin Hospices de Beaune, ngjarje vjetore në të cilën prezantohen parashikimet për të korrat e vitit të ardhshëm.
Veprimtaria e sivjetshme, e organizuar nga shtëpia e ankandeve Sotheby’s, pa qindra pjesëmarrës fizik dhe në distancë, që “luftonin” për të blerë fuçitë e mbushura me disa nga verërat më të mira në botë.
Ndërsa mund të ketë pasur më pak fuçi se zakonisht në bodrumet e Hospices këtë vit, ankandi ngjalli shpresën dhe gëzimin në rajon.
Pavarësisht se kishte pak fuçi në shitje, oferta ishte shumë e lartë.
Të gjithë ishin të fokusuar te ngjarja kryesore e eventit, në orët e vona të pasdites, shitja e Piece du President, një fuçi 228 litrash Corton-Renardes Grand Cru, e cila u shit për një rekord prej 800 mijё euro.
Për Bichot, shpresa vdes e fundit.
Perspektivat e sё ardhmes
Te prodhuesit e verës, gjatë eventit, u ngjall shpresa se, megjithëse të korrat e këtij viti janë zvogëluar, çmimet që ofrohen mund të ndihmojnë në kompensimin e pakët.
Bichot këmbëngul se çmimet edhe më të larta nuk do të kompensojnë mungesën, por thotë se prodhuesit tradicionalë të verës franceze i shohin gjërat në perspektivën e largët.
“Vreshti nuk mbillet për vitin e ardhshëm, por për brezin tjetër”, thotë ai. “Vreshtin e mbjellim për 50-60 vitet e ardhshme”.
Megjithatë, ai fatin për një prej produkteve më të mira luksoze në botë ua lë “Perëndive”.
“Ne e dimë se sa të vegjël jemi dhe sa shumë i detyrohemi natyrës”, përmbyll rrëfimin ai.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com