Lajme

Statuja e Maria Callas në Greqi, nën kritika


Për Maria Callas, divën e Greqisë, edhe 44 vjet pas vdekjes së saj nuk shuhet zhurma.

Kësaj here, zhurma është përqendruar në një statujë të ngritur në këmbët e Akropolit të lashtë, përballë teatrit romak ku debutoi këngëtarja e operës me famë botërore.

E përditshmja “The Guardian” tregon se vepra 1.8 metra e lartë, e krijuar për nder të sopranos nga tifozët që e konsiderojnë Callas si një nga pasuritë e vendit, është kritikuar si e papërshtatshme dhe se nuk ka ngjashmëri me të.

Skulptura e artë e zbuluar nga Kostas Bakojanis, kryetari i Athinës gjatë javës së kaluar, ka krijuar stuhi në mediat sociale.

Ndërkaq, kundërshtarët janë ankuar se është më e ngjashme me “Ghandi-n në këmbë” ose një statujë Oscar-i, sesa me vetë atë.

Për Michael Moussou, një ish-këngëtare e operës dhe drejtoreshë artistike e festivalit të Athinës, që mbahej çdo verë në teatrin Herodes Atticus ku Callas performoi për herë të parë, vepra kryen mëkatin kardinal për të gabuar qëndrimin e saj.

“Asgjë nuk mund të jetë më pak përfaqësuese e Maria Callas, pasi asnjë këngëtare e operës, madje as një nxënëse e klasës së dytë në shkollën e muzikës, nuk do të miratonte kurrë një pozë të tillë me krahë të kryqëzuar para gjoksit”, ka thënë ajo.

Madje, ka shtuar se po të qëndronte vërtet në atë mënyrë si në statujë, do të bllokonte zërin.

“Opera ka të bëjë me këndimin dhe…nxjerrjen e zërit. Nëse Callas do të provonte të këndonte, në jetën reale, në qëndrimin e konceptuar nga skulptori, rezultati do të ishte si një violinist që përpiqet të luajë në një violinë të thyer”, ka sqaruar ajo.

Statuja, e krijuar nga Aphrodite Liti, profesoreshë e skulpturës në Shkollën e Arteve të Bukura në Athinë, ishte disa vjet në përgatitje.

Miratimi nga këshilli i monumenteve moderne dhe mbikëqyrësi i fuqishëm arkeologjik i vendit, KAS, u kërkua para se të ngrihej pranë bulevardit me kalldrëm, Dionysios Areopagitis.

Kjo, para festimeve të krijuara për të shënuar njëqindvjetorin e lindjes së artistit në vitin 2023.

Referuar “The Guardian”, Liti u frymëzua nga fotografitë e këngëtares të siguruara nga Shoqëria Greke e Maria Callas, grupi që e porositi punën.

Një fotografi e sopranos në një shfaqje në teatrin e operës La Scala të Milanos i ra në sy skulptores “për shkak të tipareve të saj greke, stilit dorik dhe thjeshtësisë” dhe bazuar në të, ajo modeloi përfundimisht veprën.

“Mua më dha gëzim për të studiuar një personalitet unik dhe aftësinë për të folur për të përmes emocioneve”, ka treguar Liti.

Prej kohësh, admiruesit e Callas janë ankuar se teksa ajo ishte e vlerësuar për gamën e saj vokale jashtë vendit, këngëtarja e madhe dramatike ka mbetur e njohur në mënyrë joadekuate në vendin e saj.

Liana Skourli, e cila themeloi Shoqërinë Greke të Maria Callas dhe ndihmoi në mbledhjen e fondeve për statujën, i ka përshkruar kritikat si “krejtësisht të padrejta”.

“Përcjellja e pasionit të brendshëm të çdo njeriu të famshëm është gjithmonë e vështirë për çdo skulptor. Ne prisnim pak zhurmë, por asgjë si kjo”, ka thënë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore