Një ekzekutiv i platformës Facebook ka njoftuar se kompania do të prezantojë masa të reja në aplikacionet e saj për t’i larguar adoleshentët nga përmbajtja e dëmshme.
Ky njoftim i tij vjen pasi ligjvënësit amerikanë po shqyrtojnë se si Facebook dhe filialet e veta, si Instagram, ndikojnë në shëndetin mendor të të rinjve.
Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se Nick Clegg, nënkryetari i Facebook-ut për çështjet globale, është treguar i hapur ndaj idesë së lejimit të rregullatorëve që të kenë qasje në algoritmet e platformës që përdoren për të amplifikuar përmbajtjen.
Megjithatë, Clegg ka thënë se ai nuk mund t’i përgjigjej pyetjes nëse algoritmet e tij përforcuan zërat e njerëzve që kishin sulmuar Capitol-in e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 6 janar.
Algoritmet “duhet të merren parasysh, nëse është e nevojshme, me rregullore në mënyrë që njerëzit të mund të përputhen me atë që sistemet tona thonë se duhet të bëjnë nga ajo që ndodh në të vërtetë”, a thënë Clegg.
Kjo dalje e tij vjen edhe disa ditë pasi ish-punonjësja dhe denoncuesja e Facebook-ut, Frances Haugen, dëshmoi në Capitol Hill se si kompania i tërheq përdoruesit të vazhdojnë të rrotullohen, duke dëmtuar mirëqenien e adoleshentëve.
“Ne do të prezantojmë diçka që mendoj se do të bëjë një ndryshim të konsiderueshëm, ku sistemet tona shohin se adoleshentët shohin të njëjtën përmbajtje pa pushim dhe është përmbajtje që mund të mos jetë e favorshme për mirëqenien e tyre, ne do t’i nxisim ata të shikojnë përmbajtje të tjera”, ka vijuar Clegg.
Përveç kësaj, ai ka shtuar se “ne po prezantojmë diçka të quajtur ‘pusho pak’, ku do t’i nxisim adoleshentët që thjesht të bëjnë një pushim nga përdorimi i Instagram-it”.
Javën e kaluar, senatorët amerikanë kritikuan Facebook-un për planet e tij për të mbrojtur më mirë përdoruesit e rinj në aplikacionet e tij, duke u mbështetur në hulumtimet e brendshme që treguan se gjiganti i mediave sociale ishte i vetëdijshëm se si aplikacioni i tij Instagram ka dëmtuar shëndetin mendor të të rinjve.
Sipas “Reuters”, senatorja Amy Klobuchar, një demokrate që kryeson nënkomitetin e antitrustit të Komitetit Gjyqësor të Senatit, ka argumentuar për më shumë rregullime kundër kompanive teknologjike.
“Thjesht jam lodhur duke dëgjuar ‘na beso’ dhe është koha për të mbrojtur ato nëna dhe baballarë që kanë luftuar që fëmijët e tyre të mos bëhen të varur nga platforma dhe të ekspozohen ndaj të gjitha llojeve të gjërave të këqija”, ka thënë ajo.
Për SHBA-të, senatorja ka thënë se kanë nevojë për një politikë të re të privatësisë në mënyrë që njerëzit të “zgjedhin” nëse preferojnë lejimin e ndarjes së të dhënave të tyre në internet.
Gjithashtu vendi duhet të azhurnojë ligjet e privatësisë së fëmijëve dhe politikën e saj të konkurrencës dhe të kërkojnë nga kompanitë e teknologjisë që t’i bëjnë algoritmet e tyre më transparente.
Ndërkaq, Clegg ka vënë në dukje se kohët e fundit, Facebook-u kishte vënë në pritje planet e tij për zhvillimin e Instagram Kids, që synonin para-adoleshencën.
Dhe se ishte duke futur kontrolle të reja opsionale për të rriturit për të mbikëqyrur adoleshentët.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com