Turistët dhe agjencitë e udhëtimeve protestuan, të shtunën, pasi autoritetet britanike hoqën planin për lehtësimin e kufizimeve të udhëtimeve në Francë, vetëm dy ditë para se plani të hynte në fuqi.
Në një njoftim publik, të premten, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se, njerëzit që mbërrijnë nga Franca, kur të hyjnë në Britani, duhet të vetë-izolohen për 10 ditë, edhe nëse janë plotësisht të vaksinuar.
Njoftimi erdhi vetëm disa ditë pasi qeveria tha se, qytetarët e vaksinuar plotësisht të Mbretërisë së Bashkuar nuk do të përballen më me karantinë duke filluar që të hënën.
Autoritetet britanike të shëndetësisë thonë se, Franca po veçohet për shkak të rasteve të variantit beta, të identifikuar së pari në Afrikën e Jugut, e cila besohet të jetë më rezistente ndaj vaksinave sesa llojet e tjera të virusit.
Varianti Beta përbën rreth 10% të rasteve në Francë, por shumë më pak se 1% të rasteve në Britani. Në të dy vendet, varianti delta i identifikuar për herë të parë në Indi është mbizotërues.
Vaksina AstraZeneca është vaksina më e përdorur për qytetarët britanikë.
Para pandemisë, më shumë se 17 milion banorë të Britanisë së Madhe vizituan Francën çdo vit.
Gemma Antrobus nga Shoqata e Operatorëve të Pavarur Turistikë tha se, njoftimi i së premtes e kishte zënë në befasi industrinë e udhëtimeve.
Britania aktualisht ka norma më të larta të COVID-19 sesa Franca, me më shumë se 51 mijë infeksione të reja, duke regjistruar kështu numri më të lartë për gjashtë muaj. Shtrimet në spital dhe vdekjet nga COVID-19, janë gjithashtu në rritje.
Kufizimet janë vendosur të hiqen në Angli, të hënën, megjithëse qeveria po këshillon njerëzit të qëndrojnë të kujdesshëm dhe të vazhdojnë distancimin social.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com