Vende

7,7% më shumë udhëtime brenda dhe jashtë Shqipërisë për vitin 2021


Numri i udhëtimeve për qëllime personale apo biznesi, brenda apo jashtë Shqipërisë, të kryera nga individët banues në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç në vitin 2021 ishte 3 milionë e 459 mijë e 499.

Ndërsa numri mesatar i netëve të qëndrimit për udhëtime të kryera është 4,3 net.

Sipas INSTAT-it, udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 97,1 % të udhëtimeve gjithsej, ndërsa udhëtimet për qëllime biznesi 2,9 % të tyre.

Përqendrimet më të larta të udhëtimeve të kryera janë regjistruar në muajt: Gusht (18,6 %), Korrik (12,4 %), Qershor (11,5 %) dhe Dhjetor (9,9 %).

Kurse shuma e netëve të qëndrimit ka regjistruar vlerat më të larta në muajt: Gusht, Korrik, Qershor dhe Dhjetor.

Po për vitin 2021 janë regjistruar rreth 7,7% më shumë udhëtime në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, krahasuar me vitin 2020.

Përgjithësisht është shënuar rritje për të gjitha llojet e udhëtimeve, ku rritja më e lartë është shënuar për udhëtimet për qëllime personale dhe biznesi jashtë Shqipërisë.

Udhëtimet e kryera për qëllime “Vizita te të afërm dhe miq” në Shqipëri dhe jashtë saj janë rritur përkatësisht me 2,9 dhe 8,6 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2020.

Numri i udhëtimeve dhe shuma e netëve të qëndrimit sipas muajit të nisjes, 2021, në mil

Sakaq, udhëtimet e shkurtra (1-3 net) në Shqipëri zënë një peshë më të madhe (70,0 %) se udhëtimet e gjata (4+ net).

Ndryshe paraqitet situata për udhëtimet e kryera jashtë Shqipërisë ku peshën më të madhe të tyre e zënë udhëtimet e gjata (69,8 %).

Udhëtimet për “Pushime dhe kohë të lirë” kanë kohëzgjatje të shkurtër brenda vendit (59,4 %) dhe kohëzgjatje të gjatë jashtë vendit (51,7 %).

Ato për “Vizita te të afërm dhe miq” kanë kohëzgjatje të shkurtër brenda vendit (79,9 %) dhe kohëzgjatje të gjatë jashtë vendit (83,2 %).

Kurse udhëtimet e kryera për qëllime biznesi kanë kohëzgjatje të shkurtër në Shqipëri (98,7 %) dhe të gjatë jashtë saj (77,0 %).

Shpërndarja e udhëtimeve sipas kohëzgjatjes brenda dhe jashtë Shqipërisë, 2021, në %

Ndërkohë, përqindjet më të larta të udhëtimeve brenda dhe jashtë Shqipërisë janë kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç për vitin 2021.

Dhe përqindjet më të larta të udhëtimeve brenda dhe jashtë Shqipërisë janë kryer më shumë nga udhëtarët meshkuj (52,0 % dhe 57,7%).

Në vitin 2021, vihet re që udhëtimet me kohëzgjatje të shkurtër (1-3 net) kanë shënuar përqindjen më të lartë për grup-moshën 45- 54 vjeç.

Ndërsa udhëtimet me kohëzgjatje të gjatë (4+ net) janë kryer nga grup-mosha mbi 75 vjeç.

Shpërndarja e udhëtimeve sipas grup-moshësbrenda dhe jashtëShqipërisë, 2021 në %

Në vitin 2021, destinacionet më të preferuara për udhëtime për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri janë qarqet: Tiranë (19,3 %), Vlorë (16,3 %), Korçë (14,1 %) dhe Durrës (11,3 %).

Në udhëtimet e kryera jashtë Shqipërie përqindjet më larta janë regjistruar në: Greqi (2,3 %), Itali (1,8 %) dhe Turqi (1,3 %).

Në tremujorin e parë, destinacion kryesor i udhëtimeve ka qenë qarku i Korçës me 31,4 %, ndërsa udhëtimet që kanë si destinacion kryesor qarkun e Durrësit kanë regjistruar përqindjen më të lartë të udhëtimeve në tremujorin e dytë 24,0 %, dhe për tremujorin e tretë është regjistruar si destinacion i preferuar qarku i Vlorës me 51,3 %.

Edhe në tremujorin e të katërt, udhëtimet me destinacion kryesor qarkun e Korçës kanë shënuar përqindjen më të lartë të udhëtimeve në përkatësisht 52,1 %.

Destinacionet më të preferuara të udhëtimeve të kryera jashtë Shqipërisë për “Pushime dhe kohë të lirë” për tremujorin e parë të vitit 2021 janë: Mali i Zi, Kosova, Turqia dhe Dubai.

Për tremujorin e dytë Maqedonia e Veriut dhe Turqia, në tremujorin e tretë Greqia, Turqia dhe Mali i Zi dhe për tremujorin e katërt Turqia dhe Kosova.

Ndërkaq, lloji më i shpeshtë i akomodimit në vitin 2021, është “të qëndruarit te të afërmit apo miqtë”, ndjekur nga kategoria “hotel” dhe “ambiente akomodimi me qira” apo “shtëpi ose apartamente të dyta për pushime”.

Në vitin 2021 vërehet rritje për kategorinë “shtëpi ose apartamente të dyta për pushime” rreth 1,4 pikë përqindje, ndërkohë ulje është regjistruar për kategorinë “qëndrim tek të afërmit ose miqtë” me rreth 3,4 pikë përqindje.

Përqindja e udhëtimeve sipas destinacioneve më të frekuentuara në Shqipëri dhe jashtë saj 2021, në %

Numri i udhëtimeve të kryera nga udhëtarët për qëllime personale në Shqipëri dhe jashtë saj është rreth 3,36 milionë për të cilët akomodimi më i preferuar është “qëndrimi tek të afërmit ose miqtë”.

Numri i udhëtimeve të kryera për qëllime biznesi si në Shqipëri dhe jashtë saj janë rreth 0,1 milion dhe format më të shpeshta të akomodimit janë “qëndrimi tek të afërmit ose miqtë” dhe “hoteli”.

Për të gjitha llojet e udhëtimeve të kryera në Shqipëri, sipas INSTAT-it, shfaqen format të ndryshme të akomodimit në qarqe.

Udhëtimet në të cilat janë regjistruar përqindjet më të larta të akomodimit në “hotel” kanë si destinacion qarkun Korçë dhe Vlorë, akomodimi në “ambiente me qira” është raportuar në udhëtimet që kanë si destinacion qarqet: Vlorë, Durrës dhe Korçë.

Ndërsa për kategorinë “shtëpi apo apartamente të dyta“ janë renditur destinacionet për qarqet si: Durrës, Korçë dhe Vlorë.

Shpërndarja udhëtimevesipas llojit të akomodimit, 2020- 2021, në %

Sa i përket udhëtimeve të kryera jashtë Shqipërisë, akomodimet në “hotel” paraqesin përqindjet më të larta për destinacionet si Turqi, Greqi dhe Mal i Zi.

Akomodimi te “të afërmit apo miqtë” paraqitet më shpesh në udhëtimet që kanë si destinacion Italinë dhe Greqinë.

Rreth 3,3 milionë udhëtime janë kryer nëpërmjet transportit rrugor të cilët përbëjnë 95,2 % të të gjithë udhëtimeve të kryera në vitin 2021.

Rritja më e lartë është regjistruar në transportin rrugor nëpërmjet makinave private me 2,5 pikë përqindje.

Shpërndarja udhëtimeve sipas mënyrës së transportit, 2020-2021, në %

Udhëtimet njëditore të kryera në Shqipëri në tremujorin e dytë dhe të tretë kanë shënuar numrin më të lartë të udhëtimeve për qëllime personale ndërsa në tremujorin e dytë dhe të parë udhëtimet për qëllime biznesi.

Për sa i përket udhëtimeve për qëllime personale dhe biznesi jashtë Shqipërisë janë kryer më shumë në tremujorin e parë.

Gati 33,8 % e udhëtimeve si brenda dhe jashtë vendit si vend origjinë kanë qarkun e Tiranës.

Nga udhëtimet e kryera gjithsej në vitin 2021, vihet re se përqindjet më të larta për udhëtime me destinacion jashtë Shqipërisë kanë si origjinë qarqet Tiranë, Fier dhe Durrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore