Shqipëria

735.9 miliardë lekë shpenzime publike janë parashikuar në buxhetin e vitit 2024


Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë të enjte të 7 dhjetorit nen për nen buxhetin për vitin 2024.

Buxheti i vitit 2024 parashikon 735.9 miliardë lekë shpenzime publike të planifikuara dhe në të njëjtën kohë projekton uljen e borxhit publik, për herë të parë që nga viti 2011, nën nivelin 60 për qind.

Referuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, synimi i këtij buxheti është t’i përgjigjet fazës së re të zhvillimit të ekonomisë dhe të vijimit të reformave të nisura për ta afruar vendin më pranë integrimit në Bashkimin Evropian.

Rritja ekonomike parashikohet 3.8 për qind ndërsa në periudhën afatmesme parashikohet një rritje mesatare vjetore prej rreth 4 për qind.

Të ardhurat buxhetore, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, për periudhën 2024-2026 parashikohen të rriten në vlerën mesatare prej 27.8 për qind të PBB-së, nga 27 për qind që kanë rezultuar përgjatë periudhës 2019-2022.

Sakaq, rritja bazohet kryesisht në përmirësimin e administrimit fiskal, duke zgjeruar bazën e tatimit me synim minimizimin e informalitetit dhe shmangies tatimore.

Ndërkohë projektbuxheti vijon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj.

Kurse financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë 5.3 për qind e PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe ndërlidhjen, si edhe duke nxitur punësimin.

Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje të turizmit.

Po ashtu përfshihet dhe fondi i rindërtimit nga tërmeti në shumën 7 miliardë lekë.

Shpenzimet për qeverisjen vendore janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4 për qind në raport me buxhetin e vitit 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore