Lajme

5 shtetas bullgarë nën akuza në Britani për spiunazh rus


Javën e ardhshme do të paraqiten në një gjykatë në Londër pesë shtetas bullgarë për t’u përballur me akuzat për spiunim të dyshuar për Rusinë.

Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës ka njoftuar se kishte autorizuar një akuzë për komplot për të kryer spiunazh kundër tre burrave dhe dy grave.

Dhe se këto të fundit do të paraqiten në gjykatën e magjistraturës së Westminsterit më 26 shtator.

Orlin Roussev, 45 vjeç nga Great Yarmouth, dhe Bizer Dzhambazov 41 vjeç dhe Katrin Ivanova 31, të dy me të njëjtën adresë në Harrow, në veri-perëndim të Londrës, do të akuzohen për komplot për të mbledhur informacione që synojnë të jenë drejtpërdrejt ose indirekt të dobishëm për një armik për një qëllim që dëmton sigurinë dhe interesin e shtetit midis 30 gushtit 2020 dhe 8 shkurtit 2023.

Po ashtu Ivan Stoyanov 31 vjeç nga Greenford, Londra perëndimore dhe Vanya Gaberova 29 nga veriperëndimi i Londrës do të përballen me të njëjtën akuzë.

Roussev, Dzhambazov dhe Ivanova janë akuzuar më parë në shkurt 2023 për posedim të dokumenteve të rreme të identitetit me qëllim të pahijshëm sipas seksionit 4 të Aktit të Dokumenteve të Identitetit 2010.

Në korrik, treshja u paraqit në gjykatën Old Bailey të Londrës.

Sakaq, akuzat e fundit pasuan një hetim nga Policia Metropolitane.

Deputetët dhe analistët e sigurisë shprehën shqetësime për aktivitetin e spiunëve rusë në Mbretërinë e Bashkuar edhe përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën vitin e kaluar dhe Britania e ka cilësuar Rusinë si “kërcënimin më akut” për sigurinë kombëtare.

Pushtimi i Ukrainës në shkallë të plotë i Presidentit Vladimir Putin ka çuar në dëbimet në të gjithë Evropën e rreth 400 diplomatëve rusë për spiunim të dyshuar dhe ka pasur shembuj të shërbimeve perëndimore të sigurisë që ekspozojnë agjentët rusë të fjetur që punonin nën mbulesë të thellë.

Spiunët rusë u përfshinë në vrasjen e vitit 2006 të disidentit rus Alexander Litvinenko në Londër dhe në tentativën e vrasjes në vitin 2018 të dezertorit rus Sergei Skripal në Salisbury.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore