Shqipëria

36 vjet nga vdekja e Enver Hoxhës/Elsa Ballauri për Albanian Post


Ishte 11 prill 1985. Në orët e para të mëngjesit radio e partisë njoftoi atë çka shumë prisnin – Enver Hoxha vdes dhe shqiptarët për herë të parë pas afërsisht gjysmë shekulli nën mbikëqyrjen totalitare të gjithëpashmërisë së syrit enverist, shohin dritë dhe mundësi për t’u shoqëruar me Evropën dhe Perëndimin e njëkohësisht, të përfshihen në ingranazhet e botës, prej kohësh të vajisura, ndryshe nga ato të popullit shqiptar.

Një Evropë dhe Perëndim shumë larg rrezes së coptuar të shikimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Shumëkush e shfaqi gëzimin me lot dhe shumë të tjerë përmes hidhërimit. Enver Hoxha vdiq dhe me të i gjithë vargmali i trysnisë që tjetërsoi identitetin e shqiptarëve… apo jo?

Po tani? Ku jemi? Çfarë ka ndryshuar? A kanë fuqi shqiptarët të përballen me të kaluarën dhe ta dënojnë?
A mund të kemi më në fund një hapësirë tërësisht demokratike ku të mund të rrëfejmë “mëkatet” e të kaluarës?

Elsa Ballauri, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, ka dhënë opinionin e saj për Albanian Post sa i takon pyetjes “si e shohim sot komunizmin shqiptar dhe ç’duhet të bëjnë të rinjtë“?

Çfarë gjykoni se duhet të dijnë të rinjtë shqiptarë për regjimin e Enver Hoxhës dhe cfarë duhet të bëjnë ata?

Në Shqipëri nuk është bërë ende një analizë e plotë e regjimit komunist dhe rrjedhimisht edhe e figurës së Enver Hoxhës. Mendoj se kjo nuk ka ndodhur rastësisht dhe ka disa arsye.

Shoqëria shqiptare e sotme, ende nuk është ndërgjegjësuar plotësisht se cfarë i ka shkaktuar regjimi komunist Shqipërisë. Ndarja në pro, apo anti komunistë na acaron me njëri-tjetrin, por nuk na bën të mendojmë dhe të diskutojmë.

Sistemi komunist i kufizoi liritë e individit në ekstrem, e çnatyralizoi raportin e individit me konceptin e lirisë, i varfëroi shqiptarët duke iu marrë pronën, deri në shkatërrim të dinjitetit dhe respektin e tyre për veten.

Kështu janë në përgjithësi diktaturat, por ajo e jona i kapërceu limitet. Shqiptarët dolën përpara botës, në vitin 1990 si rreckamanë pa rroba në trup dhe pa dinjitet. Mendoj se një analizë e mirë fillon këtu… pse ikën si të çmëndur nga vendi i tyre?

Diktaturat asnjëherë nuk e bëjnë një shtetas dinjitoz, përkundrazi.

Diskutimi se çfarë ishte e mirë në atë kohë, është gjithashtu një debat që ka nevojë të analizohet, por e qartë është që sado përpjekje të mira të kenë filluar, ato kishin fund të keq sepse ideologjia kishte për qëllim ta skllavëronte individin për interesin e saj.

Mungesa e lirisë, paga e ulët, kërkesa vetëm për një mbijetesë të mjerë, frika dhe dënimi i çdo veprimi “liberal”, mori përmasa shumë të mëdha në kohën e diktaturës.

Enver Hoxha në këtë mes ishte i çmenduri që e drejtonte këtë proces. Ai e zhvilloi kultin e liderit të përjetshëm me arrogance dhe egërsi.

A ka pasur nje analizë të vërtetë mbi këto fenomene dhe ngjarje?

Jo, ato kanë qënë pjesërisht në efekt të ngjarjeve momentale, të iniciativave gjysmake, në favor të pragmatizmit politik apo interesave të ngushta.

Të rinjtë se pari duhet të njohin dhe të dinë fakte dhe për këtë duhet të studiojnë vetë, duhet të pyesin prindërit dhe gjyshërit, duhet të njohin histori dhe vende që kanë kaluar diktatura. Ata duhet të krijojnë metodologjinë e tyre për të përballuar analizën e vërtetë mbi kohën e komunizmit, një kohë që nuk e kanë jetuar, por që ata e kuptojnë mirë që nuk duhet të përsëritet apo të merret si shembull pozitiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore