Kosova

“27 vendet anëtare i kanë vendosur, 27-at duhet t’i heqin”, Szunyog për masat ndëshkuese


Tomas Szunyog

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE), Tomas Szunyog, ka thënë se masat ndëshkuese ndaj Prishtinës janë vendosur nga 27 vendet e Unionit, dhe për t’u hequr duhet që të pajtohen përsëri këto 27 vende.

Këto komente, Szunyog i ka bërë në një intervistë për “EkonomiaOnline”, në prag të përfundimit të mnadatit të tij si ambasador i BE-së në Kosovë.

Masat, ka theksuar ai, janë vendosur për shkak të ngjarjeve të 29 majit në Zveçan të vitit të kaluar, ku protestuesit e dhunshëm serbë, duke kundërshtuar që kryetarët shqiptarë të futeshin në objektet e komunave Veriore, kishin sulmuar ushtarët e KFOR-it.

Nga këto sulme kishin mbetur të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it, kryesisht italianë dhe hungarezë, prandaj diplomati çek potencon se kjo situatë serioze e kishte detyruar Union të reagojë.

“Një gjë është se këto masa janë marrë si reagim ndaj ngjarjeve në Zveçan më 29 maj (2023) dhe sulmit kundër KFOR-it. Kështu që unë mendoj se është e qartë se kjo ishte një krizë vërtet serioze dhe një situatë serioze dhe ne ndjemë se duhet të reagojmë. Prandaj, në fakt 27 shtete anëtare ranë dakord për deklaratën e 3 qershorit”, ka thënë ai.

Për t’i hequr duhet që të pajtohen të gjitha vendet anëtare të BE-së, por, sipas Szunyog, momentalisht janë duke u zhvilluar diskutime midis 27 shteteve dhe se shpreson se shumë shpejt do të gjendet një marrëveshje për heqjen e tyre.

“Nuk e di se nga vjen kjo narrativë e votimit dhe mosvotimit, por kjo deklaratë u pajtua qartë nga 27 shtete anëtare. Gjëja e dytë është se padyshim e njëjta gjë vlen edhe për heqjen eventuale të masave. Kjo duhet të miratohet nga 27 shtete anëtare. Po zhvillohet një diskutim midis 27 shteteve anëtare dhe shpresoj se shumë shpejt do të gjeni marrëveshje për këtë”.

“Por përsëri, qëndrimet tona për këtë ishin shumë të qarta dhe është qëndrim i 27 shteteve anëtare që në fillim, dhe ai do të përfundonte me qëndrimin e përbashkët të 27 shteteve anëtare”, deklaroi ndër të tjera.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor ët vitit të kaluar, për shkak të tensioneve të krijuara në Veri të vendit – i banuar me shumicë serbe.

Për të gjithë ato që kishin ndodhur, fajtore ishte bërë qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, prandaj edhe Unioni kishte marrë masa ndaj vendit që ai e udhëheqë.

Së fundmi, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në raportin që ua ka dorëzuar vendeve anëtare për masat ndëshkuese, ka sugjeruar që të njëjtat t’iu hiqen menjëherë Kosovës.

Mirëpo, disa vende kanë qenë të mendimit se Kosova nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme për shtensionimin e situatës, dhe kanë vendosur që masat të hiqen gradualisht dhe pjesërisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore