Libra

116 vjet që nga botimi i “teorisë së parë të relativitetit” të Einstein-it


Einstein në studion e tij

Teoria relativitetit ktheu përmbys kuptimin shkencor për kohën dhe hapësirën që ishte ndërtuar me shekuj të tërë. Isaac Newton e shihte kohën dhe hapësirën si të vendosur njëherë e mirë, të fiksuar, absolute dhe substanciale. Kanti e shihte kohën dhe hapësirën si forma aprioristike të subjektit kognitiv njerëzor. Leibniz-i e shihte si relacionalizëm mes gjësendeve.

Por në teorinë e re të relativitetit të përgjithshëm dhe të veçantë, koha dhe hapësira ishin fluide dhe të lakueshme, dhe tani ishin përkufizuar jo si dy koncepte, por si një, hapësirë-kohë (space-time).

Më 30 qershor 1905, Albert Einstein në revistën shkencore “Annalen der Physik” publikoi pjesën e parë të teorisë së tij për relativitetin, relativitetin e veçantë, të cilën do ta kompletonte dhe përgjithësonte në “relativitet të përgjithshëm” pas dhjetë vitesh.

Hapësira dhe koha janë trajtuar si probleme filozofike dhe metafizike për më shumë se dymijë vjet, dhe gati se kurrë nuk ka pasur konsesus filozofik ose shkencorë mbi natyrën përfundimtare të tyre, ose më së shpeshti, janë marrur vetëm si të mirëqena.

Einstein, teorinë e tij të relativitetit, të veçantë e të përgjithshëm, e ndërton mbi dy postulate. Dy postulate të cilat dëshmojnë se koha dhe hapësira janë pandashmërisht të lidhura, edhe përkundër perceptimit tonë.

E para është se natyra nuk ka kontura të privilegjuara të referencave. Nëse, themi, një objekt është në lëvizje konstante (pa nxitim) përgjatë një vije të drejtë, gjithçka futet në uniformitetin e përsosur të ligjeve të fizikës, dhe se është e pamundur të krijohen referenca “të privilegjuara” të gjykimit të lëvizjes.

Sikurse kur vështron nga dritarja autobusit, një autobus tjetër të parkuar paralelisht që fillon të lëvizë, dhe iluzioni është se pozicioni yt po lëvizë. Rrjedhimisht edhe “privilegji” i referancave është i pamundur.

Postulati i dytë ka të bëjë më me shpejtësinë e dritës, që është e pandryshueshme në 300,000 km/s, nga secili observues ose nga secili objekt emetues i dritës.

Relativiteti i veçantë përkthehet në atë se materja dhe energjia këmbehen me njëra tjetrën përmes ekuacionit të famshëm  E = mc² (ku E është energjia, m është masa, dhe c² shpejtësia e dritës e shumëzuar me veten), dhe se ata janë në fakt forma të ndryshme të së njëjtës gjë.

Për shkak se shpejtësia e dritës është numër aq i madh, edhe një masë e vogël mund të konvertohet, dhe është ekuivalent, me masë të madhe energjisë. P.sh për këtë arsye bombat atomike ose të hidrogjenit, janë aq të fuqishme dhe shkatërrimtare.

Edhe pse në kuptimin teorik relativiteti i veçantë dhe i përgjitshëm mund të duket si gjë e shkëputur nga praktika, teoria e Einstein-it ka pasur ndikim të madh në botën moderne.

Armët bërthamore dhe centralet bërthamore, për shembull, do të kishin qenë të pamundura po të mos ishte për njohurinë se materja mund të konvertohet në energji. Po ashtu edhe rrjetet satelitore GPS bazohet në të dyja teoritë e relativitetit, përndryshe do të tregonin pozicione globale krejtësisht të devijuara me kilometra të tërë.

Konsekuenca më e madhe teorike e derivuar nga përzjerja e hapësirë-kohës, në një koncept të pandashëm, është zgjerimi i kohës, dhe tkurrja e gjatësisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore