Sport

102 vjet histori


Data 16 shkurt është data e themelimit të një nga klubeve më emblematike të futbollit shqiptar.

Pikërisht më 16 shkurt 1919, në qytetin e Shkodrës u themelua klubi i Vllaznisë. Klubi i parë i futbollit në Shqipëri, i njohur ndryshe si “Djepi i Futbollit”.

Në 102 vite histori, Vllaznia numëron nëntë trofe të Kategorisë Superiore, gjashtë Kupa të Shqiperisë dhe dy Superkupa.

Fillimet e futbollit në kryeqendrën e veriut të Shqipërisë u shfaqen më herët sesa krijimi i Vllaznisë. Në vitin 1908, At Gut Ruter-i, një prift me orgjinë nga Malta, solli për të parën herë në Shqipëri një top futbolli.

Në vitin 1913, Shkodra do të organizonte miqësoren e parë ndërkombëtare në Shqipëri.

Në fushë zbriste ekipi vendas Indipendenca, kundër një formacioni austro-hungarez, në të cilin luanin anëtarë të ushtrive që kishin pushtuar qytetin.

Kthesa e vërtet në futbollin shkodran e jo vetëm, erdhi më 16 shkurt 1919, kur u themelua Klubi Sportiv Vllaznia.

Përgjatë periudhave të ndryshme, klubi do të merrte dhe emërtime të ndryshme.

Në 1929 quhet Bashkimi Shkodran dhe një vit më vonë debuton në Ligën Kombëtare të Shqipërisë (Kategoria Superiore sot).

Viti 1935 shënon përseri ndryshim emri për klubin, që rimerr emrin Vllaznia, por që pas disa vitesh do e ndryshonte përsëri.

Në 1950 do të quhej Shkodra dhe në 1951 u quajtt Puna Shkodër. Shtatë vite më vonë, ekzaktësisht në 1958 do të merrte emrin Vllaznia, emër të cilin vazhdon ta ketë që nga ajo kohë.

Trofeun e parë të kampionatit e fitoi në 1945 dhe më pas vijnë tetë të tjerët, përkatësisht në 1946, 1971-72, 1973-74, 1977-78, 1982-83, 1991-92, 1997-98 dhe 2000-01.

Gjashtë Kupat e Shqipërisë (Republikës) i fitoi në vitet 1965, 1971-72, 1978-79, 1980-81, 1986-87 dhe 2007-08.  Gjithashtu kuqeblutë kanë fituar dhe dy Superkupa të Shqipërisë, në vitet 1999 dhe 2001.

Viti 2018 ishte më i errëti për futbollin shkodran, pasi Vllaznia ra nga kategoria. Por, do të ngjitej përsëri një vit më vonë dhe aktualisht udhëheq Superioren dhe ka shansin të rikthejë në Shkodër pas 20 vitesh trofeun e Superiores.

Gjatë gjithë historisë së klubit, nga Vllaznia kanë dal emra të mëdhenj të futbollit shqiptar si: Loro Boriçi, Rudi Vata, Xhevahir Sukaj, Gilman Lika, Astrit Hafizi, Hysen Dedja, Medin Zhega, Vioresin Sinani, Edi Martini, Suad Liçi, Armando Cungu e shumë lojtarë të tjerë.

Historia e Vllaznisë është praktikisht vetë historia e futbollit në Shqipëri. Një vend nga i cili dalin shumë talente, që aktualisht luajn në ekipet e Superiores, apo dhe jashtë Shqipërisë. Shkodranët kanë qenë historikisht dhe pjesë e Kombëtares së Shqipërisë dhe moshave të saj. Djepi i futbollit shqiptar nuk pushon së prodhuari talente dhe futbollistë cilësor.

Për Albanian Post (AP) kanë folur disa tifozë të Vllaznisë, të grupmoshave të ndryshme, për momentet më të mira, më të këqija dhe mbi pritshmëritë e sezonit aktual që ata kanë.

Doven Brushtulli, një tifoz relativisht i ri në moshë, ka folur rreth situatës së Vllazinsë duke thënë se në sezonin aktual, ku Vllaznia udhëheq Superioren, “mjaftohemi me pjesëmarrjen në kupat e europës”.

“Viti më i errët për mua si tifoz ishte kur ekipi ra nga kategoria në 2018, ndërsa momentet më të bukura ishin kur stadium ishte plot me tifozë”, shtoi ai.

Asllan Asllanaj është një tifoz i vjetër i Vllaznisë, që e ka ndjekur klubin prej vitesh, në të mirë dhe në të keq. Për AP Asllani tha se:

“Jam tifoz i Vllaznisë që nga vitet ’80 dhe e ndjek rregullisht edhe në ndeshjet jashtë. Me sa e kam ndjekur unë, momentet më të mira kanë qenë 1990-91 dhe 2001, kur kemi dal kampion. 10 vjeçari i fundit ka qenë më i keqi, që kulmoi me rënien nga kategoria. Sivjet pritshmëritë janë të dalim kampion”.

“Për ne si tifozë momenti më i mirë ka qenë ndeshja me Tiranën, në 2017, kur ra Tirana nga kategoria dhe qëndruam ne, sepse është një kundërshtar historik. Rënia jonë nga kategoria ka qenë një moment fatal, për çdo tifozë të Vllaznisë. Ne jemi Vllaznia dhe pretendojmë gjithmonë më të mirën, pse jo të mos pretendojmë titullin këtë sezon”, tha një tjetër tifoz i kuqebluve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore